Konsumi i energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut është ulur për 17 përqind, nuk pritet ulje e çmimeve

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, ka njoftuar që konsumi i energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut ka shënuar ulje, duke theksuar që kjo vjen për dy arsye, transmeton Portalb.mk.

“Tashmë më shumë se një vit zbatohen blloqet tarifore dhe është fakt se konsumi i energjisë elektrike është ulur për 17,2 për qind, në çka ka ndikim edhe dimri i kaluar, i cili ishte i butë. Sipas përllogaritjeve të caktuara teorike, ndikimi duhet të jetë vetëm 5 për qind, por pjesa e mbetur prej 12,2 për qind është se konsumatorëve u është dërguar një sinjal me blloqe tarifore për të kursyer. Mendoj se kursimet më të mëdha janë bërë nga ata që më parë kanë shpenzuar më së shumti”, deklaroi Bislimoski në një intervistë për MIA-n.

Ai shton se në periudhën e kaluar, KRRE ka pasur bashkëpunim të ngushtë në nivel dypalësh dhe me të gjithë rregullatorët fqinjë, duke theksuar Memorandumin me Kosovën dhe Shqipërinë.

“Çmimi i energjisë elektrike në bursa është dy deri në tre herë më i shtrenjtë, gazi është më i shtrenjtë nga 50 deri në 100 për qind në varësi të periudhës, derivatet e naftës lëvizin në mënyrë ciklike dhe shkojnë lart e poshtë. Kjo do të thotë se KRRE-ja nuk do të kthehet kurrë në atë normalen që ishte më parë, por do të punojë gjithnjë e më shumë në detyrimet që rezultojnë nga ligje të ndryshme”, vlerësoi Bislimoski.