Komuna e Tetovës fsheh rezultatet e konkursit për përkrahjen e projekteve, nuk përgjigjet as në pyetet gazetareske
Komuna e Tetovës i mban sekrete rezultatet e konkursit të cilin e publikoi muajin shkurt, për përkrahje financiare të programeve dhe projekteve nga kultura, arsimi, sporti dhe mbrojtja sociale. Komuna për më shumë se tre javë nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske të Portalb.mk në lidhje me rezultatet e konkursit . Portalb.mk verifikoi se rezultatet e kësaj thirrjeje publike nuk janë të publikuara as në ueb-faqen e Komunës.
Me 1 shkurt të këtij viti, komuna shpalli konkursin për përkrahjen financiare nga fushat e lartpërmendura për manifestimet dhe krijimtaritë kulturore, shoqëritë kulturore-artistike, debate, trajnime, prezantime, aktivitete sportive, shfaqe, turne, aktivitete edukuese nga fusha sociale dhe barazia gjinore si dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre.
Ky konkurs ishte i hapur vetëm 10 ditë, ndërkaq sot që kanë kaluar tre muaj, rezultatet janë sekrete për publikun.
Portalb.mk disa herë ka kontaktuar zyrtarisht Komunën e Tetovës, duke kërkuar këto rezultatet e konkursit dhe se cilat aktivitete do të përkrahen, por pa përgjigje.
Kontaktuam komunën më 19 prill, 24 prill, 8 maj, 9 maj, 11 maj dhe 12 maj (sot), por në asnjë rast përgjigje nuk morëm.
Edhe pse këto projekte përkrahen me para të qytetarëve, rezultatet mbeten sekrete për publikun.
Qytetarët e Komunës së Tetovës kanë të drejtë të dinë se kush dhe pse përkrahet me paratë e tyre.
Për më tepër, transparenca dhe llogaridhënia kanë qenë një nga zotimet kryesore të udhëheqësisë aktuale komunale përpara se tu zgjidheshin për të qeverisur me Tetovën.
Kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjëndër edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.