Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave me Bosnjë e Hercegovinën, por me kushte

Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnjë e Hercegovinës me BE-në kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në marsin e vitit 2024 për çdo progres të arritur, raporton ABC.

“Ne njohim një sërë hapash pozitivë politikë dhe ligjorë. Përkushtimi i partive politike për qëllimin e anëtarësimit, pa dyshim, ka sjellë rezultate pozitive. Ka përparim në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, për shembull. Por, ne vërejmë me shqetësim edhe ligjet e ndryshme antikushtetuese të miratuara nga përfaqësuesit e entitetit Republika Sërpska”, tha Von der Leyen në Bruksel të mërkurën.

Në raportin vjetor për Bosnjë e Hercegovinën, thuhet se kur Komisioni të vlerësojë se Bosnja dhe Hercegovina ka arritur nivelin e nevojshëm të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit dhe veçanërisht ka përmbushur prioritetet kryesore, “Komisioni do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në”.

“Bazuar në konkluzionet e Këshillit nga 2 dhjetori 2019, Komisioni fokuson raportet e tij vjetore në zbatimin e 14 prioriteteve kyçe të Bosnjë-Hercegovinës”, thuhet në dokument.