Kodi i ndryshuar Penal në RMV halë në sy për BE-në: Dobësuat kuadrin ligjor dhe ndjekjen e korrupsionit

Komisioni Evropian ka shprehur pakënaqësi për luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Raporti më i ri, në këtë fushë një pjesë të madhe ia kushton ndryshimeve të Kodit Penal, të cilat i vendosën njollë tjetër të zezë në gjyqësorit në vend dhe dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në rastet e korrupsionit të niveleve të larta. Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore, si dhe bashkëpunimi i dobët i institucioneve që luftojnë krimin janë pjesë e kritikave të përsëritura të BE-së për korrupsionin edhe në këtë raport. KShPK-ja vlerësohet si proaktive, por gjithashtu e kufizuar sa i përket personelit adekuat, raporton Portalb.mk.

Raporti përmend ekzistencën e strategjisë kombëtare gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit, por që thekson se saj ka mbetur pas.

Sa i përket aktivitetit të KSHPK-së, raporti thekson se ka pasur një rritje shuë të kufizuar pasi nga 166 aktivitete të planifikuara për vitin 2023, vetëm 22 aktivitete (13%) janë realizuar plotësisht, 55 aktivitete (33%) janë në procesi i zbatimit, ndërsa 89 (54%) e aktiviteteve ende nuk janë realizuar.

“Kjo paraqet një rritje shumë të kufizuar krahasuar me vitin paraprak kur 10% e aktiviteteve të planifikuara për vitin 2022 janë realizuar plotësisht, 35% kanë qenë në vazhdim dhe 55% nuk ​​janë zbatuar. Shkalla e ngadaltë e zbatimit të Strategjisë tregon një mungesë të përgjithshme të angazhimit politik dhe të pronësisë së institucioneve shtetërore në fjalë. Raporti për zbatimin e strategjisë në vitin 2023 i është dorëzuar Kuvendit”, thuhet në raport.

Kodi Penal, halë në sy për BE-në

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal dobësuan kuadrin ligjor, thuhet në raport, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në rastet e korrupsionit të niveleve të larta.

“Kodi Penal është ndryshuar shpesh, me rrezikun e uljes së sigurisë juridike. Një Grup Pune nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë ka punuar që nga dhjetori 2020 për një Kod të ri Penal, përmes një procesi gjithëpërfshirës me aktorët përkatës, përfshirë OJQ-të. Megjithatë, një grup i ri amendamentesh u përgatit jashtë Grupit të Punës dhe u miratua nga Parlamenti në shtator 2023 përmes një procedure të përshpejtuar dhe pa konsultime paraprake me aktorët përkatës“, thuhet në raport.

Disa nga këto amendamente, të cilat janë për veprat penale të lidhura me korrupsionin, ngrenë shqetësim pasi reduktojnë dënimet maksimale për krime specifike të lidhura me korrupsionin si shoqërimi kriminal dhe shpërdorimi i detyrës, kanë implikime në vjetërsimin dhe procedurat penale të aplikueshme dhe të hiqet nga Kodi Penal një kategori e veçantë veprash, veçanërisht shpërdorimi i detyrës në prokurimet publike.

“Heqja e veprës “shpërdorim detyre në prokurimet publike” konsiderohet veçanërisht problematike dhe krijon rreziqe mosndëshkimi. Prokurorët publikë theksuan se këto ndryshime po ndikojnë negativisht në detyrën e prokurorisë, veçanërisht në rastet komplekse të korrupsionit të nivelit të lartë, pasi ato ndikojnë në procedurat penale në fuqi. Për shkak të strukturës së Kodit të Procedurës Penale, sanksionet maksimale të reduktuara rezultojnë në shkurtimin e procedurave penale, të cilat kufizojnë mjetet dhe shtrirjen e hetimeve, duke penguar kështu aftësinë e autoriteteve për të ndjekur penalisht rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, theksohet në raport.

Si rezultat i hyrjes në fuqi të kuadrit të ri ligjor, thekson KE, një numër i madh çështjesh në vazhdim nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP) janë pushuar për shkak të skadimit të afatit të vjetërsimit ose për shkak se vepra penale e shpërdorimit të detyrës në prokurimet publike nuk ekziston më.

“Ndjekja e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dëshmoi se ka qenë veçanërisht e vështirë për prokurorët publik të rikualifikojnë akuzat për të siguruar llogaridhënie për rastet e ish-PSP-së. Ndryshimet në Kodin Penal u kritikuan nga Komisioni Evropian dhe palë të ndryshme të interesit”, nënvizon raporti.

Seanca konstitutive e Kuvendit të RMV-së pas zgjedhjeve parlamentare 2024. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk
Seanca konstitutive e Kuvendit të RMV-së pas zgjedhjeve parlamentare 2024. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Mungesa e burimeve pengesë për ndjekjen e korrupsionit

Kufizimet e burimeve dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kombëtare pengojnë ndjekjen efektive të korrupsionit dhe pengojnë krijimin e një regjistrimi të fortë të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Prokurora Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK) ka mungesë të personelit. Në vitin 2023, u hapën tetë hetime për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, u formulua një aktakuzë dhe u dhanë katër aktgjykime të shkallës së parë.

“Nuk ka pasur dënime përfundimtare për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë në vitin 2023. Qendrave hetimore në kuadër të Prokurorisë Publike u mungojnë burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për të rritur cilësinë dhe efikasitetin e përgjithshëm të hetimeve dhe në mënyrë sistematike ndërmarrin hetime paralele penale dhe financiare, të ndjekura nga sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale”, thuhet në raport.

Prokuroria Themelore Publike Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Prokuroria Themelore Publike Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve

KE-ja e sheh si çështje shqetësuese edhe mungesën e koordinit ndërmjet institucioneve shtetërore për luftimin e korrupsionit.

“Palët e interesuara vunë re se bashkëpunimi i pamjaftueshëm ndërmjet PThP-së, KSHPK-së dhe Entit Shtetëror të Auditimit pengon krijimin e një rekordi të fortë për luftimin e korrupsionit, veçanërisht në lidhje me hetimet financiare. Ata nënvizuan se mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe arkitektura institucionale në përgjithësi janë sfidat kryesore në luftën kundër korrupsionit. Për të nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit, në korrik 2023 Qeveria riaktivizoi Organin Ndërministror për Koordinimin e Veprimtarive Kundër Korrupsionit”, thuhet më tej në raport.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) thuhet se ka vazhduar përpjekjet për të përmbushur mandatin e tij pavarësisht burimeve të kufizuara. Komisioni Shtetëror inicioi disa raste të reja, duke përfshirë në lidhje me konfliktin e interesave, parandalimin e korrupsionit në politikë, mos raportimin e pasurive dhe konfliktit tënteresave, dhe ishte proaktiv në ofrimin e udhëzimeve të politikave për institucionet publike për parandalimin e korrupsionit.

“Për më tepër, KSHPK-ja shprehu përkushtimin për të rritur bashkëpunimin me Prokurorinë Publike dhe autoritetet e tjera kombëtare për të siguruar ndjekje efektive të nismave të saj. Procedurat në deklaratat e pasurisë dhe konfliktet e interesit janë pjesë e rëndësishme e punës së KSHPK-së. Kapaciteti i tij për të verifikuar deklaratat e interesit dhe të pasurive u rrit me kalimin e kohës, siç është vërejtur edhe nga GRECO. Megjithatë, i mungon personeli i specializuar me përvojë hetimore. Ndërveprueshmëria ndërmjet bazave të të dhënave nga institucionet përkatëse nuk është ende plotësisht funksionale, duke e penguar këtë verifikim. Efektiviteti i KSHPK-së në kryerjen e mbikëqyrjes së fushatave politike ndikohet negativisht edhe nga mungesa e burimeve dhe ekspertizës përkatëse profesionale, si dhe nga fakti se të dhënat përpunohen në mënyrë manuale. KSHPK-ja priret të jetë më reaktive sesa proaktive, dhe përfundimet e raporteve të saj shpesh nuk adresohen plotësisht”, thuhet në raport.

Në përgjithësi, zbatimi praktik i sistemit të sanksioneve në lidhje me shkeljet e konfliktit të interesit, integritetit dhe legjislacionit kundër korrupsionit dhe nevoja për të siguruar që këto sanksione të jenë efektive, proporcionale dhe bindëse duhet ende të adresohen siç theksohet nga GRECO.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk

Si përfundim, raporti përsërit frazën e thënë në raportin se “Rreziku i lartë i korrupsionit mbetet i përhapur në shumë fusha, ku prokurimi publik dhe punësimi në sektorin publik janë në rrezik të veçantë”.

“Në përgjithësi, masat kundër korrupsionit vazhdojnë të kenë ndikim të kufizuar në sektorët veçanërisht vulnerabël. Mungon një qasje sistematike në trajtimin e korrupsionit për të adresuar emëruesit e përbashkët të faktorëve të rrezikut. Këta emërues përfshijnë ndikim të fortë politik në sektorin publik; shkalla e ulët e sanksionimit të sjelljeve korruptive; rregullore jokonsistente; niveli i ulët i zbatimit të masave të integritetit; transparencë, sistem mbikëqyrës dhe mekanizma të pamjaftueshëm të kontrollit në sektorin publik. Mungesa e respektimit të ligjeve të punës në sektorin publik është vënë re si një fushë relevante për korrupsionin pasi mundëson forma të ndryshme të ndikimit, si ndikimi i partive politike, nepotizmi, miqësia dhe klientelizmi. Organizatat e shoqërisë civile tregojnë gjithashtu se lidhjet partiake dhe familjare shpesh ndikojnë në emërimet në sektorin publik”, përfundon raporti.

Vendi kritika të ngjashme ka marrë edhe në raporte tjera të BE-së, GRECO-s, të Transparency International dhe raporte të tjera ndërkombëtare. 

Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit për vendet e Ballakanit Perëndimor, vendin e vlerësoi pa asnjë përparim në fushën e korrupsionit. Edhe atëherë, lidhur me ndryshimet e Kodit Penal u tha se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla.

Pa përparim edhe gjyqësori u vlerësua atëkohë dhe u kërkua që Këshilli Gjyqësor të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe  t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm.