Klekovski: Mihailova nuk ka problem shëndetësor, iku për shkak të ardhjes së konsiliumit mjekësor bullgar që do ta vërtetonte këtë
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi sot se Iva Mihaillova u arratis në Bullgari para ardhjes së konsiliumit mjekësor bullgar në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, kontrollet nga mjekët e huaj dhe ata vendorë do të tregonin shpejt se nuk ekzistojnë arsye mjekësore për trajtimin e saj jashtë vendit, transmeton Portalb.mk.
“Arratisja ndodhi për shkak të ardhjes së konsiliumit bullgar këtu. Ai duhej që, së bashku me mjekët e Maqedonisë, t’i verifikonte pretendimet e personit në fjalë. Mendoj se atëherë gjërat do të dilnin në shesh ashtu siç janë. Unë do të udhëtoj në Sofje dhe do të bisedoj me ministrinë e tyre, sepse në thelb këtu nuk kemi një rast shëndetësor”, theksoi Klekovski gjatë vizitës së sotme në Spitalin Klinik të Shtipit.
Iva Mihaillova ndodhet në Bullgari që nga e hëna. Në një deklaratë për mediumin bullgar BTV, ajo tha se vendimin për t’u larguar e kishte marrë për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore.
Kundër Mihailovës, banore e Koçanit me shtetësi maqedonase dhe bullgare, po zhvillohet procedurë gjyqësore për një aksident trafiku me pasoja fatale. Gjatë procesit, ajo pretendonte se ishte viktimë e diskriminimit për shkak të shtetësisë së dyfishtë maqedonase dhe bullgare dhe se nuk i lejohej të shkonte për trajtim mjekësor në Bullgari.
Gjykata Themelore në Koçan dje i caktoi Mihaillovës masën e paraburgimit prej 30 ditësh, vendim i marrë me propozim të Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit.
Për Mihaillovën aktualisht është lëshuar fletarrest ndërkombëtar. Fletarresti ndërkombëtar është aktiv edhe për babanë e saj, Simeon Mihaillov, i cili më parë gjithashtu ishte arratisur në Bullgari, pasi ishte dënuar me 12 vjet e gjashtë muaj burg për rastin “Detonator”.
Javën e kaluar, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, gjatë vizitës në Sofje dhe takimit me homologen e tij, Velislava Petrova-Çamova, njoftoi se autoritetet maqedonase janë të gatshme të mundësojnë ardhjen e specialistëve mjekësorë nga Bullgaria, të cilët do ta kontrollonin drejtpërdrejt Mihaillovën.
Mucunski theksoi atëherë se rasti duhet të ndahet rreptësisht në pjesën gjyqësore, në të cilën pushteti ekzekutiv nuk ka të drejtë të ndërhyjë, dhe në pjesën shëndetësore, për të cilën shteti ka treguar bashkëpunim maksimal.
Ai tha se, pasi çështja ishte ngritur nga pala bullgare, autoritetet maqedonase, në shenjë vullneti të mirë, kishin ofruar që mjekët bullgarë ta vizitonin vendin për t’u siguruar se Mihaillovës po i ofrohej trajtimi i duhur shëndetësor.
Ministrja bullgare e përshëndeti gatishmërinë e palës maqedonase për të mundësuar kontrollin nga mjekët bullgarë, por theksoi se është e rëndësishme që kjo të çojë drejt trajtimit sa më të shpejtë.
Sipas saj, bëhet fjalë për një rast humanitar dhe ajo shpreson se do të arrihet rezultati më i mirë, përkatësisht që Mihaillova të shërohet sa më shpejt. Në sqarimin e mëtejshëm të rastit, ajo theksoi se nuk ishin vendosur kushte për kontrollin mjekësor dhe se kërkesa ishte parashtruar nga disa përfaqësues të palës bullgare.