Kina me thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Iran në prag të takimit Trump–Xi

Pekini e ka ripërsëritur thirrjen për një “armëpushim gjithëpërfshirës” në konfliktin Iran–SHBA dhe për rikthimin e lëvizjes normale në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, e nisi vizitën e tij të parë në Kinë qëkurse nisi shpërthimi i konfliktit në fund të shkurtit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ministri i Jashtëm, Wang Yi, tha pas një takimi me Araqchin më 6 maj në kryeqytetin kinez se Kina do të punojë “më fuqishëm” për të ndihmuar në përfundimin e luftimeve dhe për të luajtur “rol më të madh në rikthimin e paqes dhe qetësisë në Lindjen e Mesme”.

“Kina beson se ndalja e plotë e armiqësive është e domosdoshme, rifillimi i konfliktit është i papranueshëm dhe vazhdimi i negociatave është veçanërisht i rëndësishëm”, tha Wang, sipas një deklarate nga Ministria e tij pas takimit.

Takimi mes tyre vjen një javë para se presidenti amerikan, Donald Trump, të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping.

Takimi i Araqchit me Wang erdhi në mes të raportimeve se Teherani dhe Uashingtoni janë pranë një marrëveshjeje për një memorandum njëfaqësh për t’i dhënë fund luftës në Gjirin Persik.

Media amerikane Axios ishte e para që raportoi për memorandumin e propozuar. Zyrtarët në Uashington nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesës për koment.

Ndër dispozitat e tjera, sipas Axios, marrëveshja do të përfshinte angazhimin e Iranit për një moratorium mbi pasurimin bërthamor, pajtimin e Shteteve të Bashkuara për të hequr sanksionet dhe për të liruar miliarda dollarë fonde iraniane të ngrira, si dhe heqjen e kufizimeve nga të dyja palët për anijet që lundrojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Komentuesit politikë në Iran e kanë mirëpritur gjerësisht vizitën e Araqchit në Pekin, duke e përshkruar atë si një lëvizje thelbësore kundërlëvizje para takimit midis Trump dhe Xi.