Këtë vit do të kërkohet koncesioner për pastrimin e arsenit në Llojan

Në vitin 2024 shteti do të publikojë thirrje publike për gjetjen e një koncesioneri që do ta pastrojë arsenin dhe mbeturinat e tjera minerale në Llojan dhe Tabanoc. Nëse nuk gjendet investitor privat i interesuar, alternativë do të jetë gjetja e fondeve të huaja me kontribut të brendshëm sipas parimit sipas të cilit për momentin po zgjidhet problemi me lindanin në OHIS, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Këtë sqarim e dha shteti në pyetjen e parashtuar nga Meta.mk për atë se çfarë do të ndodhë me arsenin e shpërndarë në deponinë e ish-minierës “Llojan”, e cila ndodhet rreth 100 metra larg shkollës fillore “Rilindja”, si dhe në lokacionin e dytë në afërsi të stacionit hekurudhor në Tabanoc ku duhet të ndërtohet vendkalimi i përbashkët kufitar hekurudhor ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk sqarojnë se për të marrë pjesë në thirrjen publike për koncesione të arsenit dhe lëndëve të tjera të para minerale ka interesim nga investitorët. Procedura, pra thirrja publike për zgjedhjen e një koncesioneri, duhet të zbatohet këtë vit dhe të gjendet koncesioneri i ardhshëm.

“Ministria e Ekonomisë e ka filluar procedurën për dhënien me koncesion të deponisë, në përputhje me Ligjin për Lëndët e Para Minerale, që është zgjidhja më e përshtatshme për asgjësimin e këtij lloji të mbeturinave. Kjo procedurë duhet të zbatohet në fillim të vitit 2024”, njoftojnë për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Koncesioneri i ardhshëm duhet t’i largojë mbeturinat e rrezikshme nga Llojan dhe Tabanoci dhe t’i dërgojë ato në një lokacion tjetër jashtë vendit, për shfrytëzimin e mëtutjeshëm të metaleve që tani janë të shpërndara në dy lokacionet në Llojan dhe Tabanoc. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se aktivitetet e tjera për mbulimin dhe rrethimin e përkohshëm të arsenit nuk do ta zgjidhin problemin e ndotjes me të cilin ballafaqohen banorët e vendbanimeve në komunën e Likovës dhe Kumanovës.

Zona e ish-minierës së arsenit “Llojan” është identifikuar si një nga zonat e kontaminuara industriale edhe në Planin Nacional për Menaxhimin e Mbeturinave në Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2021-2031, për të cilën është e nevojshme të merren masa për rehabilitim. Eksporti i arsenit dhe mbeturinave të tjera minerale aktualisht shihet si një opsion real nga shteti realizimi i të cilit do të fillonte këtë vit.

“Ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Ekonomisë për prokurimin publik për koncesion dhe nëse kjo gjë nuk mund të realizohet, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do t’i shqyrtojë opsionet për zgjidhje të përhershme përmes fondeve të donatorëve me kontribut vendor, siç u bë me rastin e mbeturinave në OHIS”, është përgjigja e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor si shpjegim për alternativën e mundshme për zgjidhjen e problemit me këtë pikë të nxehtë ekologjike në Llojan dhe Tabanoc.

Para së gjithash, duhet gjetur një investitor i cili do të ketë interes ekonomik nga eksporti i koncentratit të arsenit që përmban 50 përqind arsen dhe që është në sasi prej 5.000 tonësh në lokacionin në Llojan dhe Tabanoc, si dhe mbeturinat e tjera prej 450.000 ton, në përbërje të të cilave ka nga 1 deri në 2 përqind arsen dhe antimon. Nëse kjo nuk realizohet këtë vit, atëherë do të veprohet si në rasin me lindanin në OHIS, pra shteti do të kërkojë fonde të huaja për të kryer rehabilitimin në terren, pra eksportimin dhe asgjësimin e mbeturinave të rrezikshme jashtë vendit.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thirren në studimin e fizibilitetit për minierën “Llojan”, ku propozohen teknologji për mbyllje, pastrim dhe sanim për shfrytëzimin e tokës në të ardhmen, duke i përfshirë këtu edhe fondet e nevojshme për rehabilitim. Opsioni që kushton më pak është mbulimi i deponisë, por kjo është një zgjidhje afatshkurtër dhe sipas çmimeve të tregut në kohën kur është bërë studimi i fizibilitetit kjo gjë do të kushtojë 3 milionë euro.

“Duhet theksuar se Studimi duhet të rishikohet sepse është i vjetër dhe ka shumë gjasa që burimet e nevojshme financiare të jenë shumë më të mëdha. Zgjidhja afatgjatë për sanimin e lokaliteteve të kontaminuara është largimi i mbeturinave dhe depozitimi i tyre në një deponi për mbeturina të rrezikshme”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga atje shtojnë se për momentin në vendin tonë nuk ka një deponi për mbeturina të rrezikshme të këtij lloji dhe nuk është e lehtë të përcaktohet një lokacion i saktë për depozitimit e këtyre mbeturinave, duke marrë parasysh edhe përvojën me formimin e deponive komunale rajonale. Për këtë arsye, zgjidhja më e mirë është eksporti i arsenit dhe lëndëve të tjera të para minerale jashtë vendit.

Çfarë do të ndodhë me pikën e përbashkët kufitare hekurudhore në Tabanoc?

Ajo që mund ta komplikojë gjithë problemin me arsenin e shpërndarë në Tabanoc është projekti për ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare hekurudhore ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë. Në ueb-faqen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është publikuar informacioni se në muajin janar do të shpallet tenderi për ndërtimin e këtij objekti, në të cilin në të ardhmen do të qëndrojnë doganierë, policë, inspektorë, punonjës të hekurudhave dhe punonjës të tjerë nga të dy vendet për të kryer kontrollin e trafikut kufitar.

Implementues i këtij projekti do të jetë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, nga ku nuk na dhanë një përgjigje të saktë se çfarë do të ndodhë me arsenin e shpërndarë dhe me mbeturinat e tjera që ndodhen në afërsi të lokacionit ku në të ardhmen do duhet të hapet vendkalimi i përbashkët hekurudhor kufitar në Tabanoc. Nuk ka një përgjigje të qartë as se çfarë masash do të ndërmerren në të ardhmen për ta mbrojtur shëndetin e punonjësve të ardhshëm, si dhe të udhëtarëve që do të kalojnë pranë deponisë së arsenit në Tabanoc.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Meta.mk sqarojnë shkurt se këtë vit do të fillojë ndërtimi i pikës së përbashkët kufitare hekurudhore me Serbinë dhe objekti do të jetë pjesë e projektit rajonal për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë ndërmjet Nishit dhe Shkupit, me një degë që do të lidhet edhe me aeroportin e Shkupit.

Pse arseni në Llojan dhe Tabanoc është një pikë e nxehtë ekologjike?

Që nga viti 2021, Meta.mk dhe Portalb.mk vazhdimisht kanë shkruar për problemin e arsenit të shpërndarë në Llojan dhe Tabanoc, që është një nga pikat më të rrezikshme ekologjike në vend. Banorët e Llojanit para kamerave tona paralajmëruan për ndotjen me metale të rënda me të cilat ballafaqohen çdo ditë, si dhe për rrezikun me të cilin përballen nxënësit e shkollës fillore që ndodhet shumë afër deponisë së mbeturinave nga miniera.

Profesori në pension nga Instituti i Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore, Trajçe Stafillov në webinarin e fundit “Pikat e nxehta ekologjike përmes prizmit gazetaresk“ paralajmëroi se është vërtetuar që arseni është një nga elementët kimikë më toksikë që shkakton kancer te njerëzit.

Profesori në pension tha se era e shpërndarë arsenin në rrethinë, ndërsa përmes shiut ujërat e Lumit të Kumanovës dhe Pçinjës ndoten me arsen dhe antimon. Në rajonin e Kumanovës si pasojë e shpërndarjes së arsenit është kontaminuar një sipërfaqe deri në 10 kilometra katrorë, ndërsa profesori Stafillov është i mendimit se koncentrati i arsenit duhet të eksportohet jashtë vendit sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe se duhet të bëhet rehabilitimi i të gjithë asaj zone.