Kërce Andi, fluturo…

Andi Ismaili gjatë kërcimit, foto nga profili i tij personal
Andi Ismaili gjatë kërcimit, foto nga profili i tij personal

Andi Ismaili është një katërmbëdhjetë vjeçar nga Gostivari që po konkurron për të fituar edhe një kampionat kërcimi, kësaj radhe në Kroaci. Mes tjerash, ai përmendi se sa i tmerrshëm i duket qyteti i tij dhe se kërcen për ta bërë babanë krenar. Janë dy thekse ku do ndalemi në këtët shkrim, e para pse i bullizojmë kërcimtarët meshkuj dhe e dyta sa të rrallë janë baballarët që i ndihmojnë fëmijët e tyre të prekin një ëndërr si kjo e Andit.

Më pëlqen të përdor termin që Ismail Kadareja e ka përdorur për kërcimtarin me origjinë shqiptare që është shumë i njohur në botë edhe ai jeton në Francë, Angjelin Prelocajn ” kushëriri i engjëjve” ,kjo , sepse ai kërcen aq lart dhe lehtë sa të duket se do të ngjitet lart me engjëjt, sikur është pa gravitet.

Andi i ri i cili po prek një ëndërr të tijën, më bëri të mendoj edhe një herë çfarë çmimi ka lufta deri te suksesi. Gërvishtesh, bëhesh me gjak. Të tallin, të përgojojnë, përpiqen të përlyejnë me baltë ëndrrën tënde.

Dhe ti çka duhet të bësh? Ta marrësh, ta pastrosh, ta përkëdhelësh dhe sërish ta mbash diku lart vetes, mos ta harrosh dhe “të mos flesh” se ndryshe nuk do të mbërrish kurrë atje për ku je nisur.

Andi e tha publikisht  se e kanë tallur ëndrrën e tij dhe këtë e kanë bërë të gjithë rreth tij edhe të rriturit dhe kjo të bën të mendosh çfarë ” vrasës”  jemi. Nuk e vret dikë vetëm kur e qëllon me armë, e vret edhe kur ia vret ëndrrën. Kjo do të thotë se ia vret shpresën, e njeriu pa të endet si hije në botë, është një trup i rëndë plumb që nuk mund të fluturoj, siç fluturon Andi.

Babai i Andit është hero. Kuraja për ta përkrahur të birin është gjëja më fantastike që kam dëgjuar dikush të bëj për dikë kohëve të fundit. Andi kërcen, për ta bërë babanë krenar. Për t’i thënë edhe një herë ‘’ ja pse ia ka vlejtur të besosh në mua’’!

Quhet Faton Ismaili ai që nuk e shpërqëndroi të birin nga rruga, nuk i tha se kërcimi s’është për djemtë, nuk i tha të bëhej mjek siç baballarët duan t’i shohin nën petkun e një profesioni fisnik fëmijët, por e përkrahën së bashku duke e dërguar në shkollë vallëzimi fillimisht, e më pas duke u shpërblyer kampion bote disa herë, nuk dyshoj se edhe në Kroaci do të shpallet më i miri, pasi e gjithë sallën e la gojëhapur bashkë me jurinë me performancës e tij.

Le të bëhet Fatoni babai model për baballarët e fëmijëve të talentuar! Mos kërkoni një ëndërr tjetër të ngjallni te fëmija juaj, por kërkoni rrugën për ta vënë në jetë atë ëndërr që është rritur bashkë me birin tuaj.

Kjo është mënyra si dëshmohet dashuria, ju nuk i dini të gjitha gjërat më mirë se fëmija juaj, ju nuk e dini cila është më e mira për të. Më e mira për të është ajo që i jep krahë të fluturoj.

Shikoja fytyrën e zgjuar të Andit dhe më erdhi mirë që foli për bullizmin që i është bëre, sepse kjo s’do t’i ndaloj të tjerët që duan t’i futen kësaj rruge.

Të gjithë vajzat kur fillojnë shkollën dëshirojnë të bëhen balerina, aktore dhe të gjithë djemtë, me ca përjashtime, futbollistë dhe pastaj ç’ ndodh rrugës. Pse harrojnë ëndrrat? Më shumë vajza gjen në radhën për tu bërë mësuese dhe më shumë djem në radhën për mjekë.

Kohëve të fundit, profesioni shihet si derë dalëse nga ky vend. Por, ëndërrimtaret janë të njejtë kudo dhe kudo, jo vetëm te ne artistët si Andi bullizohen, Shakirës i thoshin se kishte zërin si dele, Rihana bullizohej për ngjyrën e lëkurës, Elon Musk, Spilberg , Lady Gaga, Eminen e plot të famshëm për mënyrën si duken. Madje edhe Ajnshtajni, Tomas Edisoni e plot gjeni u përjashtuan nga shkolla si të paaftë nga mësuesit e tyre, duke i quajtur ” të metë nga trutë” .  Kjo listë është e pa fund, fatkeqësisht. Por, nëse këta do ishin ndal të gjuanin pas çdo qeni që leh, asnjëherë s’do kishin mbërritur atje ku duhet dhe s’do ishin emra të mëdhenj sot. Këtu janë, sepse pengesa ua bëri me dije më fort se çka duan në jetë.

Andaj, Andi Ismaili, njeriu me fat që ka prindër e shokë e shoqe që e përkrahin, ka talentin e jashtëzakonshëm që e bën të kërcejë, të fluturojë, të shkëputet nga toka. Të bëhet kushëri me engjëjt, pa gravitet, pa krejt rëndesat e bullizimet që i janë bërë. Kërce Andi, fluturo …