KE: BE po mobilizon ndihmë shtesë për të luftuar zjarret në Maqedoninë e Veriut

Pas kërkesës për ndihmë nga Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Suedia mobilizuan nga dy avionë nga flota e BE-së të destinuar për luftimin e zjarreve – RescEU, dhe kjo ndihmë u plotësua nga një helikopter nga flota e stacionuar në Republikën Çeke dhe nga një helikopter secili nga Sllovenia dhe Serbia njoftuan sot, transmeton Portalb.mk.

“Si pjesë e luftës së vazhdueshme kundër zjarreve në pyje, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së reagoi menjëherë. U jam mirënjohës vendeve anëtare që dërguan ndihma, ky është solidaritet i BE-së në praktikë”, tha komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave Janez Lenarçiq.

Përveç kësaj, një oficer ndërlidhës nga Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të BE-së është vendosur në vend për të mbështetur autoritetet e Maqedonisë në koordinimin e reagimit ndaj zjarreve.

Përveç Maqedonisë së Veriut, javën e kaluar u aktivizua edhe Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së për shuarjen e zjarreve në pyje në Bullgari dhe Shqipëri.

Dy avionë nga Greqia dhe Franca janë dërguar në Bullgari, si dhe dy avionë të tjerë nga flota RescEU në Suedi, ndërsa dy avionë nga flota e BE-së të stacionuar në Itali janë vendosur në Shqipëri.

“Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të BE-së vazhdon të monitorojë nga afër situatën, në mënyrë që ndihma shtesë të mund të vendoset shpejt nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Për të ndihmuar në përballimin e zjarreve të mundshme, Komisioni Evropian po krijon një flotë avionësh dhe helikopterësh për shuarjen e zjarrit në prag të verës dhe ka punësuar zjarrfikës të gatshëm për reagime emergjente, të cilët janë vendosur në disa lokacione në të gjithë Evropën.

Flota zjarrfikëse e BE-së përbëhet nga 28 avionë dhe katër helikopterë të stacionuar në 10 shtete anëtare të BE-së.

Për më tepër, 556 zjarrfikës nga 12 vende janë vendosur në mënyrë strategjike në vende kyçe në Evropë, në Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë, të gatshëm të përgjigjen për të ndihmuar njësitë lokale të zjarrfikësve në trajtimin e zjarreve.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.