Katerina Zajkovska edhe zyrtarisht anëtare e re e KSHPK-së, bëri deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit

Katerina Zajkovska është zyrtarisht anëtare e re e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Pasi u zgjodh si komisionere kundër korrupsionit saktësisht një javë më parë, ajo dha deklaratë solemne para kryeparlamentarit Afrim Gashi, duke u bërë kështu zyrtarisht pjesë e ekipit të KSHPK-së, transmeton Portalb.mk.

Zajkovska u zgjodh anëtare e re e Komisionit Kundër Korrupsionit në Parlament më 11 qershor, me shumicë të thjeshtë. Kandidatura e saj u mbështet nga 56 deputetë, të cilët votuan “pro”, ndërsa një votoi “kundër”.

Anëtarja e re e KSHPK-së është ekonomiste e diplomuar dhe ka një diplomë master në kontabilitet, financë dhe auditim.

Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, me shumicë votash, e përcaktoi Zajkovskën si kandidaten e vetme, nga pesë kandidatët që aplikuan për këtë pozicion, për anëtare të re të KSHPK-së dhe ia përcolli propozimin plenumit parlamentar për votim.

Siç e shpjegoi në atë kohë kryetari i Komisionit, Gjorgjija Sajkoski, nga pesë kandidatët që plotësuan kërkesat dhe morën pjesë në intervista, Zajkovska mori më shumë pikë, përkatësisht 90.67 pikë.

Nga ana tjetër, deputeti nga radhët e LSDM-së dhe anëtar i Komisionit, Ljupço Nikollovski, ishte i mendimit se kandidatja e dytë, Milka Muratovska, duhet të propozohet si anëtare e re e Komisionit Kundër Korrupsionit, e cila, siç tha ai në atë kohë, kishte të njëjtin numër pikësh si kandidatja e parë dhe përveç kësaj kishte arsim të specializuar në fushën e antikorrupsionit.

Përndryshe, Zajkovska vjen në KSHPK për të zëvendësuar Cveta Ristovskën, e cila më 13 shkurt i paraqiti dorëheqjen nga posti i saj kryetarit të Kuvendit. Në shpjegimin e saj, Ristovska deklaroi se po e paraqet dorëheqjen pas polemikave dhe dyshimeve publike në lidhje me punën e saj në këtë organ.

Dorëheqja e saj erdhi pasi u njoftua se KSHPK-ja po hetonte rastet e konfliktit të interesit dhe mosdeklarimit të pasurisë që lidheshin me Ristovskën, përkatësisht se një kompani në pronësi të njërit prej djemve të saj mori pjesë në fushatën zgjedhore presidenciale të vitit 2024, dhe se anëtarja kundër korrupsionit nuk deklaroi në pyetësorin e saj se dy djemtë e saj kishin kompani marketingu.