Katedralja “Notre-Dame” në Paris, gati të hapë dyert 5 vite pas zjarri

Pas një zjarri shkatërrues në prill 2019, Katedralja Notre-Dame në Paris ka vendosur të rihapë dyert e saj për publikun më 7 dhjetor, duke shënuar një rast të rëndësishëm për Francën dhe botën, raporton ABC.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shkuar në Katedralen “Notre-Dame” të premten me një ekip televiziv për t’i treguar botës katedralen e restauruar, pesë vjet e gjysmë pasi ndërtesa u shkatërrua pjesërisht nga zjarri.

Ai është i shoqëruar nga kryearkitektin Philippe Villeneuve, i cili ka treguar për procesin e restaurimit të kësaj vepre gjigande.

Villeneuve ka përmendur sfidat me të cilat janë përballur punëtorët, si moti e pandemia me COVID-19. Presidentit iu tregua statuja e Virgjëreshës me Fëmijë e shekullit të 14-të, një nga simbolet e Notre-Dame, e cila u shpëtua nga zjarri.

Katedralja është një mrekulli arkitekturore gotike, e cila ka qëndruar si një simbol i besimit dhe i artit që kur filloi ndërtimi i saj në 1163. Zjarri i 15 prillit 2019 përpiu çatinë dhe majën e Notre-Dame, ndërsa shkaku mbetet i paqartë.

Mundësitë përfshijnë një defekt elektrik ose një cigare të ndezur. Zjarrfikësit arritën të shpëtonin kambanoret dhe fasadën, por dëmi i madh kërkonte një përpjekje masive globale për mbledhjen e fondeve.

Ceremonia e hapjes

Rihapja do të fillojë të shtunën e ardhshme me një fjalim të presidentit Macron, e ndjekur nga një ceremoni në dyert e katedrales nga Kryepeshkopi Laurent Ulrich. Brenda do të këndohen psalme të lashta dhe organi historik i katedrales do të rezonojë edhe një herë pasi të bekohet.

Mesha do të fillojë më 8 dhjetor, duke filluar një seri tetë-ditore shërbimesh falënderimi kushtuar donatorëve, zjarrfikësve dhe artizanëve që kontribuuan në restaurimin.