Kanalet pro-ruse në Telegram promovojnë linjën e Kremlinit në Ballkan

Më shumë se një gjysmë milioni njerëz ndjekin 23 kanale pro-Moskës në aplikacionin e komunikimit Telegram, të cilat e targetojnë Ballkanin me narrativet e Kremlinit, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Për më pak se një vit e gjysmë kanali Sllovenski Medvedi në Telegram ka tërhequr më shumë se 54.000 ndjekës, duke postuar mijëra video dhe dhjetëra mijëra foto që përfaqësojnë qëndrimin e Kremlinit për Ukrainën, Ballkanin dhe për çështje të tjera.

Në kanalin Sllovenski Medvedi, i cili është themeluar në janar të vitit 2023, një vit pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, thuhet se ai ka për qëllim të jetë “zëri i Rusisë në Serbi dhe zëri i popullit serb”. Ai është një nga kanalet pro-ruse në Telegram me rritje më të shpejtë.

Një nga postimet e fundit në të ishte për mbledhjen e parave për luftën në Ukrainë. “Mund t’i mbështetni djemtë e Brigadës së 4-të dhe të merrni pjesë në fushatën për mbledhjen e fondeve për blerjen e një kuadkopteri, si pjesë e projektit “Të gjithë për fitore” të Frontit Popullor”, thuhet në këtë postim.

Anëtarët e Frontit Popullor, një koalicion politik i themeluar nga presidenti rus Vlladimir Putin, kohëve të fundit filluan të vizitojnë Republikën Serpska dhe të zhvillojnë lidhje të ngushta me kryetarin e komunës së Vishegradit, si dhe t’u bëjnë homazhe vullnetarëve rusë që luftuan me ushtrinë e serbëve të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë, në vitet 1992-1995.

Për më pak më shumë se një vit ky kanal ka postuar pothuajse 30.000 foto dhe 8.000 video. Ai është i lidhur me 65 kanale të tjera të ngjashme që e mbështesin pushtimin rus të Ukrainës dhe që shpërndajnë përmbajtje të tilla në Republika Serpska, Kosovë dhe Rusi.

Muajt ​​e fundit përmbajtja është transmetuar nga kanali jofunksional Permski Medvedi, administratori i të cilit ishte Dario Ristiq, një serb i Bosnjës, i cili shkoi të luftojë si vullnetar në Ukrainë, siç zbuloi BIRN duke i ndjekur postimet e tij në rrjetet sociale.

Këto kanale janë pjesë e një tendence gjithnjë e më popullore të përdorimit të aplikacionit Telegram në vend të rrjeteve sociale për të përhapur dezinformatat ruse dhe thirrjet për rekrutim ushtarak në Ballkanin Perëndimor, zbulon kështu një analizë e gazetarëve të BIRN.

Edhe pse ky fenomen nuk është i ri, numri i kanaleve dhe frekuenca e mesazheve me sa duket është më e madhe se në fillim të pushtimit të Ukrainës.

Me ndihmën e mjeteve analitike, siç janë Telemetrio dhe TGstat, BIRN i veçoi 23 kanalet më të njohura dhe analizoi përmbajtjen dhe ndërveprimin e tyre të ndërsjellë.

Disa nga këto kanale janë krijuar në Rusi, publikojnë përmbajtje në rusisht ose i përdorin mediat shtetërore ruse si burimet e tyre kryesore të informacionit, por të gjitha janë të drejtuara kah audienca në Ballkanin Perëndimor.

Ekspertët nga Serbia, ku është hapur numri më i madh i kanaleve të analizuara nga BIRN, shpjeguan se si pavarësisht se ku janë themeluar këto kanale kanë për qëllim të përhapin ndikimin e tyre në Republika Serpska, si dhe në Serbi.

Analistja dhe ekspertja e forenzikës digjitale, Natasha Kilibarda, për BIRN, thotë se Telegrami është bërë terren pjellor për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

“Ndërlidhja dhe promovimi i ndërsjellë i kanaleve është i mirë-koordinuar dhe i orkestruar, me një narrativ të artikuluar qartë”, shtoi Kilibarda, duke shpjeguar se përmbajtja e publikuar është zakonisht pro-ruse, anti-ukrainase dhe anti-perëndimore, por edhe anti-LGBT dhe kundër rezolutës së fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi gjenocidin në Srebrenicë.

Sipas ligjit boshnjak dhe serb thirrjet për t’iu bashkuar formacioneve të huaja ushtarake dhe paraushtarake janë të ndaluara, por një numër i konsiderueshëm i kanaleve në Telegram vazhdojnë t’i inkurajojnë vullnetarët për të luftuar në Ukrainë.

Kanali i luftëtarëve serbë ka 85 mijë ndjekës

Dejan Beriq është një nga vullnetarët serbë më të famshëm në ushtrinë ruse dhe kanali i tij është kanali më i vizituar pro-rus në Telegram në Bosnje, Serbi dhe Mal të Zi.

Beriq ka më shumë se 110.000 ndjekës, publikon rreth njëqind postime në ditë dhe brenda 24 orëve përmbajtja e postuar nga ai shihet nga rreth 25.000 ndjekës.

Kanali i tij citon kanale të tjera pro-ruse si Rebelimi është gjendje shpirtërore dhe Zapallka dhe media ruse të mbështetura nga Kremlini, siç është Sputnik. Është kanali më i njohur në Telegram në gjuhën serbe.

Postimet më të famshme në javët e fundit, të cilat janë parë dhjetëra mijëra herë, i janë kushtuar vëllazërisë serbo-ruse, fesë ortodokse, glorifikimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe kritikave ndaj NATO-s.

Që nga viti 2020 Rebelimi është një gjendje shpirtërore përhap propagandë pro-serbe dhe pro-ruse. Numri i anëtarëve të rinj u rrit shumë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ndërsa sot ka më shumë se 85.000 ndjekës.

Të gjitha këto kanale përfitojnë nga rritja e aplikacionit Telegram, numri i përdoruesve aktivë të së cilit së shpejti pritet të arrijë një miliardë.

“Kjo megarritje u arrit për të paktën tre arsye: migrimi i përdoruesve nga Facebook, Messenger dhe WhatsApp dhe mosbesimi në mediat kryesore, që njëkohësisht shoqërohet me një interes të madh për temat globale socio-politike”, tha Kilibarda.

Analiza e BIRN nxori në pah se përveç se që është i lidhur me Rebelimi është një gjendje shpirtërore, kanali Beriq është gjithashtu i lidhur me kanalin Srpski Vesnik në Telegram. Pothuajse të gjitha kanalet e analizuara nga BIRN janë të regjistruara në Serbi.

Propaganda ruse është e përhapur në Serbi, theksoi Sofija Todoroviq, drejtoreshë e programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Beograd, kështu që përmbajtja e kanaleve në Telegram nuk është e pazakontë në këtë vend.

“Në qeverinë e re serbe kemi ministra që janë haptazi pro-rus, kështu që pyetja është se deri në çfarë mase mund t’i klasifikojmë narrativat individuale si propagandë, të cilat kryesisht vijnë nga jashtë nëse këto pikëpamje prezantohen dhe promovohen nga njerëz në poste të rëndësishme shtetërore”- tha ajo.

Rritja e “influenserëve propagandistik”

Ballkanist, një nga kanalet më të njohura në Telegram, gjuha e komunikimit të të cilit është rusishtja, u themelua në vitin 2019 dhe i dedikohet postimeve në lidhje me entitetin Republika Serpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Nga muaji shkurt i vitit 2021 Ballkanist i zgjeroi aktivitetet e tij në kërkuesin rus Jandeks, hapi një kanal në YouTube dhe krijoi një faqe zyrtare dhe podkast.

Një nga donatorët e kanalit, numri i ndjekësve të të cilit brenda një viti u rrit dukshëm, është Platon Besedin, shkrimtar i njohur si propagandues pro-rus. Kanali Ballkanist e promovon përmbajtjen e tij.

Kanal tjetër që e promovon unitetin ruso-serb, Zllobni Orli, u themelua disa ditë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës. themeluesi Aleksandar Lisov, drejtor i Qendrës Ruso-Serbe Orli, e cila u regjistrua në Shën Petersburg në vitin 2017, mban kontakte me përfaqësuesit e Partisë Progresive Serbe në pushtet në Serbi, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Edhe kanali Vojna vo Zhivo është me seli në Serbi. Me më shumë se 21.000 ndjekës, ndërsa vitin e fundit pothuajse e ka dyfishuar numrin e ndjekësve. Postimi i tij më i pëlqyer ka të bëjë me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, ku lëvdohen ushtarët nga Espanola, një njësi ushtarake ruse anëtarët e së cilës thonë se janë frymëzuar nga grupi paramilitar “Tigri”, i cili udhëhiqej nga komandanti serb i luftës, tashmë i ndjerë, Zheljko Razhnatoviq, ose ndryshe i njohur si Arkan, gjatë luftërave në vitet 1990 në Kroaci dhe Bosnje.

Kilibarda thotë se analizat e kryera me përdorimin e forenzikës digjitale kanë treguar se po krijohen edhe analogë të kanaleve ruse në gjuhën serbe. Një prej tyre është Infodefens Serbia, kanali propagandistik i bllogerit të famshëm ushtarak rus Jurij Podoljak, një ukrainas i dënuar me 15 vjet burg në mungesë në Ukrainë për përhapjen e propagandës ruse.

“Doli që, për shembull, rrjeti Infodefens Serbia funksionon me shumë sukses edhe në gjuhën serbe, duke përhapur propagandë digjitale, dezinformata dhe përmbajtje manipulative”, tha Kilibarda.

Kilibarda thotë se ky grup u krijua në tetor të vitit 2022 dhe tani ka më shumë se 14.000 anëtarë. E gjithë përmbajtja e publikuar e tij është përkthyer nga rusishtja dhe ukrainishtja në serbisht.

Postimet e tij më të famshme janë ata të postuara më 15 maj të këtij viti, kur ushtria ruse kreu një operacion të madh ushtarak në Ukrainën lindore, i cili praktikisht u transmetua drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.

Ekspertët thonë se kanalet propagandistike në Telegram po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për autoritetet ruse dhe përfaqësuesit e tyre.

Pak kohë më parë kanali rus Rajbar në Telegram, i cili ka më shumë se një milion ndjekës, u mburr se kishte mbajtur trajnime në Serbi dhe Republika Serpska për menaxhimin dhe rrjetëzimin e kanaleve për 500 pjesëmarrës, duke përfshirë këtu studentë, gazetarë, politikanë dhe akademikë.

Raibar u krijua nga një ish-punonjës i zyrës së marrëdhënieve me publikun në Ministrinë Ruse të Mbrojtjes, Mihail Zvinçuk, i cili është në listat e sanksioneve të Ukrainës dhe Bashkimit Evropian. Në një intervistë për RTVI në vitin 2022, ai tha se kanalin e menaxhojnë 40 punonjës.

Rajbar publikoi se vetë Zvinçuk kishte mbajtur seanca të mbyllura stërvitore se si të përdoret Telegrami dhe të evitohet X, Facebook-u dhe Instagrami. Në postim ai shtoi se Rajbar ka përzgjedhur dhjetë projekte premtuese për zhvillim dhe ka organizuar trajnime të reja live.

Sipas Kilibarda, kanalet në Telegram paraqesin një operacion të madh me ndikim digjital.

“Administratorët e kanaleve në Telegram janë bërë influenserë për propagandë dhe aktivitete ushtarake”, tha ajo.