Kallas javën e ardhshme do të vizitojë tre shtete të Ballkanit Perëndimor

Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill do të vizitojë disa shtete në Ballkanin Perëndimor, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në vizitën e parë të saj në rajon si shefe e diplomacisë evropiane, Kallas do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

BE-ja njoftoi se në ditën e parë të turneut të saj, në Mal të Zi zyrtarja e lartë evropiane do të takohet me presidentin Jakov Millatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq. Ajo po ashtu do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile.

Mali i Zi është shteti që ka avancuar më së shumti në rajon në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE.

Më 8 prill, në Shqipëri Kallas do të ketë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin, Edi Rama. Me këtë të fundit do të zhvillojë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Në Shqipëri, shefja e diplomacisë evropiane do të takohet edhe me ministrin për Evropë dhe Çështje Evropiane, Igli Hasani, dhe me atë të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

“Ajo do të marrë pjesë në takimin e parë të Dialogut për Siguri dhe Mbrojtje BE-Shqipëri me ministrat Hasani dhe Vengu. Po ashtu, Kallas do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të grantit nga Banka Evropiane për Investime dhe të marrëveshjeve të huas për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë”, thuhet në njoftim.