Ka nevojë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, vlerësoi Mickoski në takim me ministrin turk Fidan

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot ka zhvilluar takim bilateral me ministrin për punëve të jashtme në Turqi, Hakan Fidan, i cili sot zhvilloi disa takime zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Bashkëpunimi ekonomik dhe politik ndërmjet dy shteteve është i një rëndësie të veçantë dhe ka nevojë për thellimin e mëtutjeshëm të tij”, deklaroi Mickoski.

Raportet ndërmjet dy shteteve, u vlerësuan si partneritet i fuqishëm me mundësi të reja, duke theksuar nevojën për investimet e ardhshme të kompanive turke në ekonominë e Maqedonisë së Veriut.

“Në takim u diskutua për miqësinë shumëvjeçare ndërmjet dy shteteve, për politikën aktuale dhe gjendjen ekonomike, si dhe për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian”, raportoi Qeveria.

Ata theksuan edhe nevojën e zhvillimeve në diplomaci, si një mundësi e rëndësishme në zgjidhjen e konflikteve, duke vlerësuar se paqja dhe stabiliteti janë të rëndësishëm për rajonin.