Johanes Han: Jam i shqetësuar për situatën në Maqedoninë e Veriut, Marrëveshja e Prespës duhet respektuar

Komisioneri Evropian për Buxhet dhe Administratë Johanes Hahn shprehu inkurajimin e tij për të gjithë të përfshirët, si dhe qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, që të respektojnë Marrëveshjen e Prespës dhe të punojnë për perspektivën evropiane të secilit vend, por edhe për të ndihmuar vendet fqinje, transmeton Portalb.mk

“Sa i përket rastit me Maqedoninë e Veriut, kjo më shqetëson. Ne vetëm mund t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, veçanërisht qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, që t’i përmbahen Marrëveshjes së Prespës dhe të punojnë për perspektivën evropiane të secilit vend, por edhe të ndihmojnë vendet fqinje. Sepse vërtet besoj se nëse bëjmë një hap të qëndrueshëm përpara, në rastin e Maqedonisë së Veriut, do të ketë ndikim në të gjithë rajonin, për shembull në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat duhet të riaktivizohen me Komisionin e ri”, tha Han.

Reagimet për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2017 u arrit marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.