Javën e ardhshme do të mbërrijnë 11 mijë vaksina kundër Covid-19, njoftoi ministri Taravari

Javën e ardhshme do të mbërrijnë 11 mijë vaksina kundër Covid-19, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Pas rritjes së numrit të rasteve të personave të infektuar me koronavirus, së shpejti do të nisë edhe vaksinimi i atyre qytetarëve që duan të marrin vaksinën, transmeton Portalb.mk.

“Së shpejti, pra maksimumi për 10 ditë do të mbërrijnë 11 mijë vaksina kundër Covid-19, të cilat do të jenë donacion. Presim edhe dërgesë nga Komisioni Evropian, i cili bën prokurimin për të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në atë paketë është edhe Maqedonia. Dhe ajo blerje është drejt përfundimit”, tha ministri Taravari, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë inspektimit të punimeve të ndërtimit të qendrës së autizmit në Gjorçe Petrov.

Ndryshe, edhe pse një nga rekomandimet kryesore të Komisionit për Sëmundje Infektive është që personat me sëmundje kronike dhe personat mbi 65 vjeç të vaksinohen kundër Covid-19, në poliklinikat në Shtëpia e Shëndetit Shkup nuk ka vaksina.

Komisioni për Sëmundjet Infektive javën e kaluar rekomandoi shmangien e grupimit dhe qëndrimin e zgjatur në dhoma të mbyllura, ajrosjen e rregullt të dhomave, larjen më të shpeshtë të duarve dhe shmangien e kontaktit të ngushtë me personat e sëmurë.