Janë nxjerrë 93 trupa të palestinezëve nga kampi i refugjatëve në Gaza pas bombardimeve izraelite

Të paktën 93 trupa palestinezësh janë nxjerrë sot nga kampi i refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës që nga fillimi i ofensivës izraelite në kamp gjashtë ditë më parë.

Drejtori i Mbrojtjes Civile në veri të Rripit të Gazës, Ahmed al-Kahlot tha për Anadolu: “Zjarre shpërthyen në mes të kampit Jabalia si rezultat i bombardimeve të vazhdueshme izraelite”.

Ai vuri në dukje se “ekipet e zjarrfikësve nuk ishin në gjendje të arrinin te zonat e prekura në kamp”.

“93 trupa palestinezësh janë nxjerrë nga kampi Jabalia që nga fillimi i operacionit izraelit gjashtë ditë më parë”, tha Al-Khalot.

“Shumë trupa u hodhën në rrugë në kampin Jabalia dhe ekuipazhet nuk ishin në gjendje t’i merrnin ata për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite”, shtoi ai.

Izraeli po e vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm në enklavë.

Më shumë se 35.300 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 79.200 të tjerë janë plagosur që nga tetori i kaluar pas një sulmi të Hamasit.