Jack Teixeira do të dalë sot në gjykatë për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara nga Pentagoni

Amerikani Xhek Tesheira (21), anëtar i Gardës Kombëtare të Massachusetts, do të dalë sot në gjykatë pasi u arrestua dje nga agjentët e FBI-së për zbulimin e dokumenteve të klasifikuara ushtarake nga Pentagoni në lidhje me luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë kombëtare, transmeton Portalb.mk.

FBI arrestoi Xhek Tesheira dje në shtëpinë familjare në Dayton, Massachusetts, pasi u identifikua si udhëheqësi i një chat grupi online ku dokumentet ishin postuar fillimisht dhe më pas u përhapën në faqet e tjera të mediave sociale.

Gardiani i ri akuzohet për zbulim të paautorizuar të informacionit të klasifikuar dhe pritet të gjykohet në Boston, Massachusetts, më vonë gjatë ditës.

Tesheira punoi si specialist i IT-së në krahun e inteligjencës së Gardës Kombëtare të Massachusetts.

Një pjesë e informacionit publik për motivin e nxjerrjes së dokumenteve është se ai ka shprehur skepticizëm ndaj qeverisë amerikane, por miqtë e tij nga ana tjetër pretendojnë se Tesheira nuk ka qenë as denoncues dhe as agjent i huaj.

Grupi online ku dokumentet e klasifikuara u publikuan fillimisht quhet Thug Shaker Central dhe ka rreth 20 deri në 30 persona që ndajnë interes për armët, përmbajtjen raciste dhe videolojërat.

Nga atje, dokumentet u përhapën në Twitter dhe Telegram, kur Pentagoni mësoi për rastin.

Dokumentet e rrjedhura në rrjetet sociale sugjerojnë dhe detajojnë informacione për ndihmën që Shtetet e Bashkuara dhe NATO i japin Ukrainës në luftën me Rusinë, si dhe vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës amerikane në lidhje me vendet aleate të Shteteve të Bashkuara.