Izraeli kreu sulme të mëdha ajrore në Liban
Ushtria izraelite e ka kryer një valë të gjerë sulmesh ajrore kundër Hezbollahut të hënën, duke bombarduar objektivat në jug të Libanit, në lindje të luginës Beka dhe në rajonin verior në kufi me Sirinë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e një inkursioni tokësor në Liban, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha se “ne do të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme” për t’i kthyer në shtëpitë e veta banorët e shpërngulur nga veriu i Izraelit.
Hagari u bëri thirrje banorëve të jugut të Libanit të largohen nga vendet ku është i vendosur Hezbollahu.
Ai tha se Hezbollahu, i cili mbështetet nga Irani, ndër vite ka fshehur armë, përfshirë raketa lundruese, nëpër shtëpi dhe ndërtesa në jug të Libanit, prandaj u bëri thirrje banorëve të largohen nga ato pjesë.
Hagari e paraqiti para mediave një video për të cilën tha se shfaqte pjesëtarët e Hezbollahut duke tentuar të shkrepnin raketa lundruese nga një shtëpi banimi në Liban, dhe si pasojë një sulm izraelit ndaj saj para se raketa të hidhej.
“Hezbollahu po ju rrezikon. Po ju rrezikon juve dhe familjet e juaja”, tha Hagari.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan fuqishëm qyteza përgjatë kufirit jugor të Libanit, dhe madje edhe më thellë në veri të vendit, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Hezbollahu dhe Izraeli këmbyer zjarr në mënyrë intensive të dielën, pasi grupi hodhi qindra raketa thellë brenda territorit izraelit duke iu përgjigjur bombardimeve izraelite.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se bombardimet do të vazhdojnë derisa të garantohet siguria për kthimin e të shpërngulurve nga pjesa izraelite e kufirit.
Hezbollahu është përballur me trysni të madhe në javët e fundit, pasi javë e kaluar mijëra pajisje komunikimi – pejxherë dhe radiolidhje – të përdorura nga pjesëtarët e saj shpërthyen.
Për shpërthimin e këtyre pajisjeve Hezbollahu e ka fajësuar Izraelin, i cili as nuk e ka pranuar e as mohuar përgjegjësinë.