Inspektorati do ta shqyrtojë rastin me femrën 30-vjeçare që humbi jetën në Spitalin Klinik të Tetovës, reagoi Spitali

Ministria e Shëndetësisë informoi se lidhur me vdekjen e pacientes 30-vjeçare në Repartin infektiv në Spitalin Klinik të Tetovës inicioi mbikëqyrje inspektuese deri te Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH). Për rastin ka reaguar Spitali i Tetovës, ku thonë se personeli mjekësor i spitalit ka vepruar me përkushtim të plotë dhe brenda të gjitha standardeve profesionale, njofton Portalb.mk.

Në kumtesën nga SPB Tetovë thuhet se anëtarët e familjes në polici kanë denoncuar se pacientes 30-vjeçare nuk i është ofruar ndihma e duhur mjekësore, pas së cilës ka ndërruar jetë.

“Më 10.08.2025 në ora 03:20 në SPB Tetovë, J.S. nga fshati Kopanicë e Tetovës, ka raportuar se në Repartin Infektiv të Spitalit Klinik Tetovë është hospitalizuar S.S. (30) nga fshati Kopanicë, anëtare e familjes së tij e cila shpejt ka ndërruar jetë. Sipas raportimit, ajo ishte pranuar për trajtim spitalor një ditë më parë në ora 19:00 dhe gjoja, sipas thënieve të tij, nuk i është ofruar ndihma e duhur mjekësore, pas së cilës ka ndërruar jetë. Punonjësit e policisë nga SPB Tetovë kanë dalë në vendngjarje dhe lidhur me raportimin është formuar një ekip për hetimin e ngjarjes, i cili do të udhëhiqet nga prokurori publik në bashkëpunim me një ekip nga SPB Tetovë”, potencojnë nga SPB Tetovë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se opinioni do të njoftohet me kohë pas përfundimit të procedurës për konfirmim të gjendjes faktike. Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në transparencë, përgjegjësi dhe sigurim të mbrojtjes clësore shëndetësore për të gjithë qytetarët.

Nga Spitali Klinik i Tetovës thonë se pacientja ishte paraqitur në Urgjencën e spitalit, ku menjëherë është pranuar dhe i është ofruar ndihma mjekësore në përputhje me të gjitha protokollet dhe standardet profesionale. Potencojnë se më pas është udhëzuar për trajtim të mëtejshëm në repartin infektiv.
“Sipas anamnezës së marrë nga familjarët gjatë pranimit, pacientja ditët e fundit ka marrë terapi në ambulanca private – një veprim i cili, nëse vërtetohet, bie ndesh me rregulloret ligjore dhe etike të praktikës mjekësore.
Spitali Klinik i Tetovës pret që Prokuroria të japë një vlerësim përfundimtar mbi rastin dhe ofron bashkëpunim të plotë për zbardhjen e tij. Theksojmë se personeli mjekësor i spitalit ka vepruar me përkushtim të plotë dhe brenda të gjitha standardeve profesionale”, thuhet në reagimin e Spitalit Klinik të Tetovës.