I dyshuari për publikimin e dokumenteve sekrete, në gjykatë për t’u përballur me akuzat
Anëtari i Gardës Kombëtare të Forcave Ajrore të SHBA-së i dyshuar për rrjedhje të të dhënave sekrete të zbulimit ushtarak u paraqit të premten para një gjykatësi federal në Boston për t’u përballur me akuzat se ka marrë, mbajtur dhe publikuar në mënyrë të paligjshme materiale të klasifikuara, raporton VOA.
Në seancë, prokurorja e lartë federale, Nadine Pellegrini, kërkoi që 21 vjeçari Jack Teixeira të mbahej i ndaluar në pritje të gjyqit. Një seancë mbi masën e paraburgimit u caktua për të mërkurën e ardhshme. Rrjedhja e dokumenteve ka ngritur pyetje të reja në lidhje me aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur sekretet më të ndjeshme.
Autoritetet amerikane arrestuan 21-vjeçarin Jack Teixeira në një shtëpi në Dighton të Masaçusetsit, nën dyshimet si autori i rrjedhjes së dokumenteve sekrete të zbulimit dhe ushtrisë. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland foli pas arrestimit të të dyshuarit nga agjentët e FBI-së.
“Departamenti i Drejtësisë arrestoi Jack Douglas Teixeira-n në kuadër të një hetimi nën dyshimet për marrjen, mbajtjen dhe publikimin e paautorizuar të informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare. Teixeira është një punonjës i Gardës Kombëtare të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Zoti Garland nuk dha ndonjë motiv të mundshëm për nxjerrjen e informacioneve, por persona që kishin komunikuar me të në platformën e komunikimeve private Discord, ku u shfaqën dokumentet, kanë thënë se zoti Teixeira ishte më i motivuar nga dëshira për të shitur mend, sesa ideologjia.
Arrestimi i së enjtes ishte një moment kyç në hetimin për rrjedhjen e informacionit të zbulimit të profilit më të lartë prej vitesh dhe ushtria dhe Departamenti i Drejtësisë po vazhdojnë të hetojnë se si ka mundësi që sekretet qeveritare të publikuara në një platformë private si Discord, qarkulluan në mbarë botën.
Arrestimi u bë pasi gazeta Washington Post dhe media të tjera njoftuan të mërkurën vonë se personi përgjegjës për rrjedhjen, i kishte publikuar dokumentet në Discord.
Lajmi për rrjedhjen e dokumenteve u bë i njohur javën e kaluar. Mes tyre janë harta të pozicioneve ushtarake ukrainase dhe vlerësime të hollësishme nga Uashingtoni mbiUkrainën dhe mbështetjen e aleatëve të SHBA-së për Ukrainën.
Fakti që anëtari i Gardës Kombëtare rezultoi si i dyshuari kryesor, po shtron pyetjen se si ka mundësi që një shkelje kaq e rëndë, që Pentagoni e quajti një “rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare”, mund të jetë shkaktuar nga një pjesëtar kaq i ri dhe i një rangu të ulët.
Zoti Teixeira ishte specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që do të thotë një specialist i teknologjisë, përgjegjës për rrjetet e komunikimeve ushtarake.
Disa orë pas arrestimit, kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, lëshoi një deklaratë ku premtoi se do të “analizojë se pse ndodhi kjo, pse kaloi pa u vënë re për javë të tëra dhe si të parandalohen rrjedhjet në të ardhmen”.
Zoti Teixeira, do të paraqitet para një gjykate në Masaçusets të premten. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai ka një avokat që mund të flasë në emër të tij.
Zyrtarët e Pentagonit folën të enjten për masat e tyre të sigurisë.
“Gjithsesi është e rëndësishme të kuptojmë se ne kemi rregulla të rrepta për ruajtjen e informacionit të klasifikuar dhe të ndjeshëm. Ky ishte një akt kriminal i qëllimshëm, një shkelje e atyre rregullave”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.
Administrata e presidentit Biden ka bërë përpjekje intensive për të vënë nën kontroll pasojat e mundshme diplomatike dhe ushtarake nga rrjedhjet që kur u njoftua për herë të parë për to javën e kaluar, duke marrë masa për të siguruar aleatët dhe për të vlerësuar përmasat e dëmit.
Megjithatë Presidenti Joe Biden, i cili ndodhet në Irlandë, theksoi se Departamenti i Drejtësisë po vazhdon hetimin dhe e minimizoi rrjedhjen.
“Nuk jam i shqetësuar për rrjedhjen. Jam i shqetësuar që ndodhi. Por nuk ka asgjë që të më bëjë të mendojë se pasojat janë të rënda”, tha ai.
Departamenti i Drejtësisë po drejton hetimin penal për rrjedhjen.