Hovenier: Anulimi i pjesëmarrjes në Defender 23, pasoja e parë për Kosovën

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një takim me disa gazetarë në Prishtinë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten, raporton REL. Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – kanë hyrë hyrë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.

Ai e citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë.

Hovenier tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, shtoi ai.]

“SHBA-ja, pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës”

Në takimin me gazetarët në Prishtinë, Hovenier foli edhe për disponimin aktual të SHBA-së ndaj Kosovës.

“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ai.

SHBA: Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, tha ambasadori amerikan.

Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për këtë marrëveshje në shkurt të këtij viti në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit në mars, në Ohër.

Hovenier: SHBA-ja i ka dy kërkesa për Kosovën

Ambasadori amerikan tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha Hovenier, duke përmendur shembullin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në lokacione alternative.

“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që ta tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai.

Sipas Hovenierit, këto veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

“Rritja e gatishmërisë luftarake në Serbi nuk është shenjë e mirë”

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë përbën kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan, Hovenier, tha se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat marrëdhëniet janë të tensionuara, i mobilizojnë forcat e tyre.

“Mirëpo, në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”.