Historia, Gjeografia dhe Arsimi Qytetar sërish si lëndë të veçanta në shkollat e RMV-së

Koncepti i arsimit nga koha e Milla Carovskës, kur lënda e shkencave shoqërore zëvendësoi lëndën histori, nuk do të shfuqizohet siç ishte paralajmëruar, por do të reformohet. Në vitin shkollor 2025/26 do të ketë koncept të përmirësuar me planprograme dhe plane të reja, me tekste të reja për nxënës, kurse lëndët e veçanta, siç tha ministrja Vesna Janevska, do të funksionojnë që këtë vit, transmeton Portalb.mk.

Sot u lansua edhe ditari i ri elektronik, në të cilin, siç tha Janevska, nuk do të mund të ndërrohet nota apo të fshihet mungesa brenda natës, siç ishte më parë. Ajo theksoi se mësimdhënësit do të trajnohen për përdorimin e ditarit të ri dhe deri në vënien në përdorim të ditarit të ri do të funksionojë ditari i vjetër.

Ministrja e re njoftoi se nesër do të ketë një takim me SASHK-un për të filluar negociatat e para lidhur me dinamikën e përmirësimit të të gjitha kushteve të punëtorëve në arsim, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes kolektive për rritjen e pagave, e cila do të zbatohej deri në fund të mandatit.

Kujtojmë se në fillim të vitit 2021, aktuale ishte tema për konceptin e ri të arsimit fillor, me të cilin parashiheshin disa ndryshime për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Koncepti i ri ngjalli reagime në opinion, të cilat në fillim kishin të bëjnë me shkrirjen e disa lëndëve në një lëndë të integruar. Ministrja e atëhershme Carovska tha se frika nga integrimi i lëndëve, në një moment të caktuar, ishte keqpërdorë për qëllime politike, por që më pas ishte zvogëluar. Ajo në disa raste përsëriti se arsimi duhet të pësojë ndryshime, gjë që e sugjerojnë edhe testimet vendore edhe ato ndërkombëtare, si dhe prindërit e mësimdhënësit të cilët i kanë propozuar këto ndryshime konceptuale.

Ministria e Arsimit (MASH) dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), i qetësonin ankesat e prindërve duke thënë se nuk do të lejojnë që nxënësit të mos pajisen me njohuri nga historia, gjeografia apo përmbajtje nga ndonjë disiplinë tjetër shkencore, por që mësimi i këtyre degëve do të përshtatet me moshën e nxënësve.

Pasi u hap thirrja për propozime dhe sugjerime, koncepti i ri për arsimin fillor u miratua në mars të vitit 2021.