Javën e kaluar, gjatë një ndeshjeje sportive në Kumanovë, brohoritjet e urrejtjes pushtuan sallën: “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Vdekje për shqiptarët”. Këto nuk janë fjalë që i takojnë një salle sportive. Nuk i takojnë asnjë shoqërie qytetare. Dhe megjithatë, ato u thanë, siç janë thanë më parë dhe siç po thuhen përsëri, me zë të lartë, publikisht, në prani të zyrtarëve të zgjedhur si kryeministri dhe kryetari i komunës së Kumanovës, të cilët qëndruan aty, duartrokitën dhe buzëqeshën. Pa asnjë dënim. Pa asnjë ndjesë. Vetëm heshtje.
Ajo heshtje ishte shurdhuese.
Unë kam vizituar Dachau-n. Kam parë me sytë e mi si duket një dhomë gazi. Është një vend i ftohtë, morbid, tronditës, është një dëshmi e vrasjes sistematike të njerëzve të pafajshëm vetëm pse ishin ndryshe. Të përmendësh dhomat e gazit në vitin 2025, dhe ta bësh këtë me entuziazëm kundër bashkëqytetarëve të tu, nuk është vetëm një krim fjale, është një krim ndaj kujtesës sonë kolektive. Ndaj njerëzimit.
Gjuha e urrejtjes nuk është vetëm fjalë. Është armë. Plagos, përçan, radikalizon. Krijon një ndjenjë të rreme epërsie te disa dhe indinjatë e përjashtim te të tjerët. Helmon shpirtin e bashkëjetesës dhe na lë të thyer. Dhe sa herë mendojmë se kemi ecur përpara si shoqëri, një moment i tillë na tërheq sërish në llumin e shovinizmit dhe urrejtjes etnike.
Ndërsa ne vazhdojmë të urrejmë njëri-tjetrin, bota ecën përpara. Shqipëria, dikur e lidhur me ne në rrugën drejt integrimit evropian, po bën përparim të madh në rrugën që ne mendonim që asnjëri prej nesh nuk mund ta ecte. Ne, përkundrazi, jemi bllokuar në refuzimin për të përmbushur detyrimet tona themelore, si përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë. Vetë-sabotohemi në emër të sloganeve boshe dhe krenarisë së rreme.
Kosova, përkundër të gjitha sfidave, po na tregon një rrugë tjetër. Shikoni Festivalin Sunny Hill, një ngjarje që bashkon njerëz nga e gjithë bota përmes artit, kulturës dhe bashkëjetesës. Ndërsa ne thërrasim për vdekje, ata vallëzojnë për jetë. Ndërsa ne ulërijmë kundër njëri-tjetrit, ata këndojnë së bashku.
Maqedonia e Veriut mund të ishte shembulli më i mirë i bashkëjetesës paqësore, i asaj se çfarë mund të jetë një shoqëri shumëetnike. Por ne po shndërrohemi në një shembull për të kundërtën. Po bëhemi një vend ku urrejtja është më e fortë se shpresa, ku ndarja është më e zakonshme se dialogu, dhe ku heshtja përballë së keqes po bëhet normë.
Një realitet i tillë mund të ndryshojë, por kjo kërkon guxim, sidomos nga ata që kanë pushtet. Të dalin dhe të thonë: Kjo nuk jemi ne. Kjo nuk është ajo që duam të jemi.
Sepse, nëse nuk e bëjmë këtë, nuk po humbim vetëm rrugën drejt Evropës, po humbim shpirtin tonë dhe largohemi dita ditës më shumë jo vetëm nga Evropa, por nga të qenit njeri.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.