Hare, duartrokitje dhe dhurata, Rotary Tetova gëzoi nxënësit e SHF “Liria”

Klubi Rotari i Tetovës të premten, më 26 dhjetor, në Pallatin e Kulturës në Tetovë organizoi një ngjarje festive me rastin e përfundimit të vitit, duke sjellë gëzim dhe atmosferë të ngrohtë për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën të Shkollës Fillore “Liria” në Tetovë, njofton Portalb.mk.

Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse nga presidenti i Rotary Club Tetova, Dr. Argjend Imeri, dhe nga drejtoresha e shkollës, Farije Kasami, të cilët theksuan rëndësinë e kujdesit për fëmijët, përjetimin e përbashkët të festave, duke gjallëruar lidhjet shoqërore, miqësinë dhe angazhimin qytetar.

Pika kryesore e ngjarjes ishte shfaqja për fëmijë “Pinokio”, e cila u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm. E ndërthurur me elemente edukative dhe mesazhe të qarta për sinqeritetin, përgjegjësinë dhe sjelljen e mirë, shfaqja e solli historinë e njohur të Pinokios në një formë të gjallë dhe të afërt për fëmijët. Ajo ishte edhe ndërvepruese: aktorët shpesh u drejtoheshin nxënësve me pyetje, ndërsa të vegjlit përgjigjeshin me zë të lartë, të qeshura dhe gëzim, duke e kthyer sallën në një hapësirë plot energji pozitive. Për shumë prej tyre, ky ishte një moment i veçantë, ku mësimi dhe argëtimi u bënë një përjetim i vetëm, i mbushur me emocion e hare.

Në fund të aktivitetit, atmosfera festive u kompletua me paraqitjen e Babadimrit, i cili i gëzoi të gjithë fëmijët duke u shpërndarë nga një dhuratë të vogël secilit.

Babadimri duke ndarë dhurata për fëmijët. Foto nga Portalb.mk
Babadimri duke ndarë dhurata për fëmijët. Foto nga Portalb.mk

Me buzëqeshje, duartrokitje dhe shkëlqim në sytë e tyre, nxënësit e shkollës “Liria” e mbyllën këtë ditë si një kujtim të bukur të fundvitit, një moment gëzimi që dëshmon se kur komuniteti bashkohet për fëmijët, festa merr kuptim edhe më të madh.

“Rotary” është një rrjet global vullnetarësh që angazhohen për shërbim ndaj komunitetit, duke mbështetur arsimin, shëndetin, paqen dhe përfshirjen sociale. I udhëhequr nga parimi “Service Above Self” (Shërbimi mbi veten), Rotary vepron me integritet, miqësi dhe përgjegjësi për të sjellë ndryshime konkrete e të qëndrueshme.