Hana Abdullahi, violinistja që po mahnit me virtuozitetin e saj

Ajo edhe pse e re në moshë ka arritur të performojë me virtuozitetin në violinë dhe të na nderojë brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut. Ka fituar disa çmime me rëndësi dhe ka mahnitur skena festivalesh me performancën e saj. Ajo quhet Hana Abdullahi dhe për Portalb.mk sjellim profilin e saj.

Fotografi e marrë nga profili personal në FB i Hana Abdullahut
Fotografi e marrë nga profili personal në FB i Hana Abdullahut

Hana Abdullahi ka lindur më 04.09.2005 në Tetovë. Mësimet e para në muzikë i mori në moshën gjashtë vjeçare në shkollën fillore të muzikës në Tetovë, ndërsa një vit më vonë filloi mësimet në instrumentin e violinës. Ka mësuar në shkollën shtetërore të muzikës “Todor Skalovski – Tetoec”- Tetovë, drejtimi muzicient interpretues në instrumentin e violinës, në klasën e prof. Shkëlzen Pajazitit. Hana Abdullahi është pjesëmarrëse në shumë aktivitete, koncerte dhe masterclasse të ndryshme ku mund të përmenden: Masterclassetet me violinisten Yukiko Tezuka në kuadër të projektit “Building Musical Bridges 2020-2021” në Kosovë, si dhe Masterclasset me violinistin austriak Johannes Fleischmann në European Summer Music Academy – ESMA në Gjakovë, Masterclasset me violinisten sërbe Milena Stevanovic , masterclasse me violinistin turk Orhan Ahiskal në ESMA 2021 në Prishtinë dhe së fundmi pjesë e Althofen Masterclasses në Austri me violinistin austriak Johannes Fleischmann dhe violinisten kroate Evgenia Epshtein.

Hana është pjesëmarrëse e projekteve të “Western Balkans Youth Orchestra” që nga viti 2020, ka luajtur në koncerte në qytete të ndryshme të Ballkanit si Novi Sad-Serbi, Kotor- Mal i Zi, Mostar- Bosnje dhe Hercegovinë, Tiranë – Shqipëri, Prishtinë- Kosovë, poashtu edhe në koncerte në Gjermani, në festivalin e njohur “Young Euro Classic” në Berlin gjithashtu në Essen,Kassel, Aachen dhe Königswinter. Në qershor të vitit 2023 Hana ishte pjesë e Orkestrës së Rotarisë Gjermane me dy koncerte në Maastricht të Hollandës dhe Aachen të Gjermanisë.

Fotografi e marrë nga profili personal në FB i Hana Abdullahut
Fotografi e marrë nga profili personal në FB i Hana Abdullahut
Fotografi e marrë nga profili personal në FB i Hana Abdullahut
Fotografi e marrë nga profili personal në FB i Hana Abdullahut

“Në Austri isha pjesë e Althofen Masterclasses ku morra  mësime për violinë me violinistin austriak Johannes Fleischmann i cili është profesor në Universitetin e Arteve në Vjenë. Në Austri bashkë me profesorin kemi punuar vepra të ndryshme por në koncertin final luajta kohën e parë nga koncerti për violinë nr.4 nga Henri Vieuxtemps.” – thotë Hana për Portalbin.

Por, ç’ është ky instrument për të që e zotëron kaq mirë dhe që ia ka rrëmbyer zemrën Hanës:

“Muzika më lejon të shpreh emocionet e mia dhe është bërë pjesë e pandashme e jetës sime. Meloditë dhe ritmet kanë një mënyrë unike për të më bërë të ndihem mirë dhe të lidhem me ndjenjat e mia më të thella.” – shprehet ajo.

“Dëshira ime është të vazhdoj karrierën time në kryeqendrat e muzikës klasike.”- ëndërron ajo, por Hana është vajzë që di të prek ëndrrat e saja. Së fundmi në Austri ka mahnitur me performancën e saj. Na ngelet të presim e të shohim dhe ta regjistrojmë në memorie emrin që do të na bëjë krenarë të gjithëve.

Hana është pjesëmarrëse dhe fituese e shumë çmimeve në gara dhe festivale të ndryshme shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare si. Sivjet ” Ars Kosova ” në nderim të violinistes së ndjerë Drita Dida ka ndarë çmimim ” Drita Dida” ku familja Dida ua ka ndarë dy vajzave, njëra është Hana Abdullahu.