Hamasi njoftoi se ka shpërbërë qeverinë e tij në Gaza
Grupi palestinez Hamas ka njoftuar shpërbërjen e organit që ka qeverisur Rripin e Gazës për gati dy dekada, duke i hapur rrugë një komiteti teknokratik që do të marrë përsipër administrimin civil të territorit të shkatërruar nga lufta dhe nën bllokadë, raporton Al Jazeera.
Ky vendim, i bërë publik të hënën, përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm politik për Hamasin, i cili qeveris Gazën që nga viti 2007, kur mori kontrollin e territorit nga lëvizja rivale palestineze Fatah, pas fitores në zgjedhjet legjislative të vitit 2006.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mes Izraelit dhe Hamasit në tetor të vitit të kaluar, grupi ka deklaruar vazhdimisht se është i gatshëm të tërhiqet nga administrimi i përditshëm i Gazës. Megjithatë, çështja e çarmatimit të tij mbetet ende e pazgjidhur.
Mohammed al-Farra, kreu i Komitetit Qeveritar të Emergjencave, “ka vendosur të paraqesë dorëheqjen zyrtare nga detyra dhe të shpallë shpërbërjen e Komitetit Qeveritar të Emergjencave, si dëshmi e seriozitetit të këtyre masave, në zbatim të marrëveshjeve të arritura dhe për të lehtësuar procesin e tranzicionit administrativ”, thuhet në një deklaratë të publikuar të hënën nga Zyra për Media e Qeverisë në Gaza.
Një zyrtar i Hamasit tha se grupi dëshiron hyrjen sa më të shpejtë të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), organ i ngarkuar me mbikëqyrjen e administrimit të ardhshëm të Gazës sipas një plani të mbështetur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në territorin palestinez.
“Hamasi ka ndërmarrë një hap të ri duke mos qenë më përgjegjës për administrimin e Rripit të Gazës, me qëllim që t’u heqë çdo pretekst forcave pushtuese, të cilat vazhdojnë agresionin dhe luftën e shfarosjes”, deklaroi zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, për agjencinë AFP.
“Shpresojmë që Komiteti Kombëtar të hyjë sa më shpejt në Gaza dhe Hamasi konfirmon gatishmërinë për t’ia dorëzuar këtij komiteti përgjegjësitë qeveritare, për të siguruar suksesin e tij”, shtoi ai.
Korrespondenti i Al Jazeera-s në Qytetin e Gazës, Hani Mahmoud, tha se njoftimi i Hamasit duket të jetë “politikisht domethënës”.
“Shihet si pjesë e një lëshimi nga ana e Hamasit për të çuar përpara negociatat dhe për t’i hapur rrugën ardhjes së komitetit teknokratik në Rripin e Gazës, i cili do të marrë përgjegjësinë pas muajsh të tërë boshllëku në administrim”, tha ai.
Mahmoud theksoi se ky vendim nuk do të thotë se Hamasi po heq dorë nga roli i tij politik apo ushtarak në Gaza, por se po tërhiqet nga administrimi i drejtpërdrejtë civil i territorit.
Kreu i Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, Ali Shaath, e mirëpriti vendimin e Hamasit.
“Konfirmojmë se Komiteti Kombëtar është plotësisht i gatshëm të marrë përgjegjësitë e tij kombëtare sapo të sigurohen burimet dhe kapacitetet e nevojshme”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Nickolay Mladenov, përfaqësuesi i lartë që mbikëqyr Bordin për Paqen në Gaza, të mbështetur nga SHBA-ja dhe që do të mbikëqyrë punën e NCAG-së, tha se ky vendim “nënvizon rëndësinë e përfundimit me sukses të diskutimeve për planin e zbatimit”.
“Ky është ura lidhëse mes deklaratave dhe zbatimit”, tha ai.
Mladenov shtoi se, sapo të arrihet marrëveshja për dispozitat e mbetura të zbatimit, NCAG do të jetë në gjendje të marrë përgjegjësitë e tij.
Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës ka mbetur prej muajsh jashtë Gazës, për shkak të kundërshtimeve të Izraelit për hyrjen e tij në enklavën e rrethuar.
Izraeli ka përjashtuar mundësinë që Hamasi të vazhdojë të qeverisë Gazën, por njëkohësisht ka refuzuar edhe marrjen e drejtpërdrejtë të kontrollit nga Autoriteti Palestinez, i cili administron Bregun Perëndimor të pushtuar.