Gratë në Maqedoni, të ngecura midis paragjykimeve, diskriminimit dhe stereotipeve

Më pak se 25 përqind e kompanive në vend menaxhohen nga gra. Nga të gjithë të punësuarit 38,3 përqind janë gra. Vetëm 19 përqind e punëdhënësve në Maqedoni janë gra. Burrat e rinj të punësuar janë 23 përqind, ndërsa numri i grave të reja të punësuara është rreth 12.4 përqind. Fatkeqësisht vetëm 41 përqind e grave i plotësojnë kushtet për të siguruar pension shtetëror. Kjo është vetëm një pjesë e hulumtimit për barazinë gjinore të realizuar nga organizata joqeveritare Hera dhe Ambasada Britanike në Shkup, i cili tregon gjendjen e vërtetë dhe fatkeqësisht zhgënjyese të grave në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.

Hulumtimi i publikuar nga Hera tregon se rreth 28.5 përqind e pronave janë në pronësi të grave. Në zonat rurale kjo përqindje është zhgënjyese me vetëm 4,1 përqind.

Sot gratë ende bëjnë 72,5 përqind të punëve të shtëpisë. Ata janë gjithsej 66,4 përqind e punëtorëve të papaguar të familjes dhe në zonat rurale kjo shifër është edhe më e lartë.

Hulumtimi tregon se në shoqërinë maqedonase ekziston stereotipizimi i plotë dhe një ndarje klasike e profesioneve dhe vendeve të punës “për burra” dhe “për gra”, me 74 përqind përfaqësim të grave në art dhe shkenca humane, 76 përqind në shëndetësi dhe 91 përqind në arsim.

Ajo që ndoshta është më alarmante është fakti se në vitin 2022 nga gjithsej 1.117 vepra penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje, në 92 përqind të rasteve autorë janë burrat, ndërsa në 79 përqind viktima janë gratë.

Dhunë, dhuna familjare, dhuna ndaj grave. Foto: Canva
Dhunë. Foto: Canva

Nga janari 2020 deri në mars të këtij viti ka pasur gjithsej 4.484 denoncime për dhunë në familje, ndërsa autorët në 91 përqind të rasteve kanë qenë burra. Viktimat e dhunës në familje kanë qenë 79 përqind gra dhe 21 përqind burra. Si pasojë e dhunës në familje në katër vitet e fundit kanë ndodhur gjithsej 22 vrasje, 12 tentativa për vrasje, ndërsa viktimat më të shpeshta sipas të dhënave kanë qenë bashkëshortet apo nënat.

Më së shumti vrasje si pasojë e dhunës në familje kanë ndodhur në vitin 2022 –shtatë, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë pesë. Në shumicën e rasteve dhuna ka qenë me përdorim të forcës fizike dhe kanosjes, por edhe me përdorim të armëve të ftohta. Autorët e dhunës në familje, sipas të dhënave të MPB-së, kanë qenë me çrregullime psiqike, por të shpeshta janë edhe rastet kur kanë qenë nën ndikimin e alkoolit apo drogës.

“Në vetëm 3 muaj, nga janari deri në mars të këtij viti, policia ka bërë 237 kallëzime që kanë të bëjnë me dhunën në familje, që do të thotë se ka pasur thuajse tre denoncime në ditë. Nga autorët 215 kanë qenë burra dhe 25 gra. Viktima të dhunës në familje në tre muajt e parë të këtij viti kanë qenë 97 bashkëshorte dhe 31 nëna, fëmijët e të cilëve kanë ushtruar dhunë ndaj tyre. Gjithsej 22 vrasje kanë ndodhur në katër vitet e fundit si pasojë e dhunës në familje, 12 vrasje në tentativë”.

Një nga organizatat që përballet në terren me statistikat e dhimbshme dhe viktimat e dhunës në familje dhe të llojeve të tjera të dhunës është Qendra Familjare e Shoqatës për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor HERA. Kjo është një qendër e specializuar këshillimi që prej 10 vitesh punon në sferën e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore. Qendra Familjare punon për mbështetje dhe asistencë psikosociale për viktimat e dhunës në familje, gra dhe fëmijë, por edhe me autorët e dhunës.

Në Qendrën Familjare të HERA-s në 2 vitet e fundit mbi 99% e viktimave/të mbijetuara të dhunës të paraqitura janë vajza dhe gra.

Vetëm gjatë vitit të kaluar pranë qendrës kanë kërkuar ndihmë 113 persona, nga të cilët 57 kanë qenë gra viktima të dhunës në familje.

“Kur bëhet fjalë për rastet e denoncuara të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, do kishim thënë se mospasja e shtëpisë së tyre dhe financat e pamjaftueshme janë arsyet kryesore pse gratë shumë vështirë inkurajohen të largohen nga mjedisi i dhunshëm. Shpesh, edhe gratë që punojnë nuk janë në gjendje të mbulojnë shpenzimet e qirasë, shpenzimet e shërbimeve bazë dhe shpenzimet e jetesës që lidhen me mbajtjen e fëmijëve nëse vendosin të largohen nga mjedisi i dhunës. Prandaj, programet për mbrojtjen e grave nga dhuna duhet të parashohin domosdoshmërisht masa për lehtësim ekonomik dhe mbështetje për viktimat që largohen nga mjedisi i dhunshëm. Nëpërmjet edukimit joformal me të rinjtë shohim se mjedisi shkollor nuk ofron një hapësirë ​​të sigurt dhe përgjigje për shumë pyetje që shqetësojnë të rinjtë. Në sistemin arsimor hendeku gjinor është ruajtur për shkak të mungesës së programeve përmes të cilave do të shemben stereotipet gjinore dhe do të promovohet barazia gjinore. Të rinjtë në mjedisin shkollor duhet të mësojnë pse është e rëndësishme barazia gjinore dhe se promovimi i barazisë gjinore do të thotë barazi në marrëdhëniet midis partnerëve, intime dhe miqësore, më pak dhunë, rini të emancipuar dhe rishqyrtim të vlerave të dëmshme tradicionale. Programet mësimore duhet të përfshijnë informacione për marrëdhëniet toksike, çfarë do të thotë një marrëdhënie e shëndetshme, si të rinjtë mund ta njohin dhunën me bazë gjinore, për rëndësinë e pajtueshmërisë, ballafaqimin me presionin e bashkëmoshatarëve dhe pranimin e dallimeve”, thotë Elizabeta Bozhinovska nga Hera.

 

Elizabeta Bozhinovska, foto nga akrivi personal
Elizabeta Bozhinovska, foto nga akrivi personal

Një tjetër temë që është shumë e rëndësishme kur flasim për barazinë gjinore është se nuk vendoset në fokus shëndeti mendor i burrave dhe djemve. Pabarazia gjinore prek njëlloj si djemtë ashtu edhe burrat. Ata janë të ekspozuar ndaj presionit social dhe pritshmërive joreale që në moshë të hershme se si duhet të sillet një burrë “i vërtetë”.

“Burrat kanë jetëgjatësi më të shkurtër se gratë, shkalla e vetëvrasjeve te burrat është dukshëm më e lartë në vendin tonë, burrat vizitojnë mjekët më pak dhe më rrallë dhe kërkojnë ndihmë dhe mbështetje kur kanë ndonjë problem shëndetësor apo mendor. Programet shkollore për barazi gjinore dhe shërbime mbështetëse për djem dhe burra mund të kenë ndikim kyç në çrrënjosjen e stereotipeve gjinore dhe uljen e numrit të sjelljeve të dhunshme si një mënyrë për zgjidhjen e konflikteve, ndërsa qëllimi final është të kemi individë empatikë dhe të realizuar”, shpjegon ajo.

OJQ Hera si organizatë ofron shërbime sociale dhe shëndetësore në Shkup, por edhe në qytete të tjera dhe zona rurale përmes klinikave tona mobile për më shumë se 15 vjet.

“Përvoja tregon se gratë përballen me probleme të shumta, gjë që vetëm sa konfirmon se gratë janë të diskriminuara në shumë fusha të jetës shoqërore. Gratë ende nuk kanë akses në shërbimet gjinekologjike në një pjesë të madhe të rajoneve dhe mjetet për planifikim familjar janë të shtrenjta dhe të padisponueshme. Asnjë mjet kontraceptiv nuk mbulohet nga sigurimet shëndetësore dhe për shkak të mungesës së transportit publik të organizuar gratë e fshatrave nuk kanë mundësi të vizitojnë institucionet shëndetësore apo sociale në mjedisin më të afërt urban kur kanë nevojë”, thotë Elizabeta.

Statistikat për gjendjen e grave në vend janë zhgënjyese pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për përfaqësimin e tyre në pozita udhëheqëse, në postë të pushtetin qendror apo lokal, arsimimin dhe zhvillimin e tyre profesional apo si objekt i dhunës.

Nevojiten ndryshime të mëdha në shoqëri, në sistemin arsimor, por edhe në mënyrën se si perceptohet gruaja dhe puna e saj.