Gratë e Tetovës ‘Teuta’ sonte në finalen e Albanian’s Got Talent
Grupi i Grave ‘Teuta’ sonte do të prezantohet natën finale të spektaklit Albanian’s Got Talent, shkruan Portalb.mk.
Në skenën e finales së madhe, kori ‘Teuta’ do të sjellë një program të ndërtuar me kujdes, ku ndërthuren zëri, emocioni dhe trashëgimia kulturore shqiptare. Përmes interpretimit të tyre, ato do të përcjellin kulturë dhe autenticitet.
Ky program është rezultat i përkushtimit dhe punës së vazhdueshme, duke reflektuar seriozitetin dhe profesionalizmin me të cilin Grupi i Grave “Teuta” e përfaqëson veten dhe kulturën që mbart. Sonte, publiku do të ketë mundësinë të shohë dhe dëgjojë një performancë që nuk është vetëm spektakël, por edhe mesazh.
Paraqitja e tyre në finalen e Albanian’s Got Talent është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për grupin, por edhe për promovimin e vlerave autentike në një skenë prestigjioze.
Me një rrugëtim të ndërtuar mbi përkushtim, pasion dhe identitet të fortë artistik, Teuta ka arritur të fitojë zemrat e publikut dhe vlerësimin e jurisë. Ato nuk paraqesin vetëm talent, por edhe një mesazh të qartë: kultura jonë jeton, evoluon dhe shkëlqen kur ruhet me dinjitet.
Në këtë natë vendimtare, gjithçka kalon në duart e publikut. Në fund të të gjithë performancave, votimi hapet online, dhe kushdo, nga kudo në botë, do të ketë akses në website-in voto.vizionplus.tv për të mbështetur artistin e preferuar. Çdo person ka të drejtë deri në 10 vota. Ndaj sonte, publiku nuk është thjesht spektator por është vendimmarrës.