Gostivari solli në skenë veprën “Symphonic Suite “Skanderbeg” nga kompozitori Çesk Zadeja, transkriptuar nga Leutrim Aliji
Në Qendrën për Kulturë në Gostivar mbrëmë u mbajt Koncert Piano Recital- nga pianisti gostivaras, Leutrim Aliji. Ky koncert u mirëprit me shumë dashuri nga dashamirët e muzikës klasike dhe më gjerë, njofton Portalb.mk.
Në këtë koncert u luajtën veprat:
J.Haydn-Sonata in h-moll
- Allegro moderato
- Menuet
- Finale
I.v.Beethoven-Sonata op.27 no.2
- Adagio sostenuto
- Allegretto
- Presto
C.Debussy-Prelude nr.8: Ondine & L’isle joyeuse
Aliji/Zadeja-“Symphonic Suite “Skanderbeg”
- The Cavarly
- The Mourning
- Hero’s song
Pianisti Leutrim Aliji për Portalb.mk tha se kishte shumë mbështetje nga qytetarët e Gostivarit dhe Tetovës.
“Besoj se të gjithë hynë në botën time gjatë interpretimit e ndjeva sikur kishte munguar diçka e këtillë.. besoj se do kthehem shumë shpejtë sërish në Gostivar për një koncert dhe pse jo më të gjerë. Muzika klasike e ka atë rëndësinë e vet për audiencën, do kisha dashur që shumë më shpesh, edhe shumë profesionist të tjerë ta luajnë muzikën klasike nëpër koncerte, sidomos nëpër kështu qytete më të vogla si Gostivari”, thotë Aliji.
Ai shton se koncertin e solli në Gostivar pasi është vendlindja e tij dhe se kjo i sjellë nostalgji, pasi të gjithë të afërmit dhe shoqërinë e ka po në atë vend.
“Tek ai Pallat Kulture unë jam rritur, ajo që gjendet aty gjithmonë para provimeve unë kam ushtruar, dhe më sjell kujtime të mira. Sa i përket komponimeve çka une i solla mbrëmë në këtë koncert janë vepra çka më kan bërë më shumë përshtypje gjatë rrugëtimit tim. Risi për këtë koncert ishte një vepër çka unë e kam shënuar vetë e kam transkiptuar, nga kompozitori Çesk Zadeja njëri ndër kompozitorët më të mëdhenjë çka e kemi ne shqiptarët. Është një vepër simfonike e kam bërë vetëm për piano dhe ajo u luajt për herë të parë mbrëmë në koncertin tim në Gostivar” tha pianisti Leutrim Aliji.
Pianisti Leutrim Aliji, shkëlqen fuqishëm në skenën prestigjioze të muzikës klasike në Zvicër.