Go Green kërkon nga Ministria e Transportit miratimin e një Rregulloreje për infrastrukturën e biçikletave

Për të fituar qytete të mençura, vendbanime dhe shtet të shëndetshëm, të qëndrueshëm, të sigurt, rezistent ndaj klimës, duhet ndër të tjera të krijojmë kushte për qarkullim të sigurt të biçikletave, thotë shoqata për zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit “Go Green”, transmeton Portalb.mk.

Ata theksojnë se në mënyrë që të gjithë të mund të ngasin biçikletë, është e nevojshme të kemi një qasje të unifikuar në hartimin e infrastrukturës së biçikletave dhe rregullorja aktuale është shumë kufizuese dhe nuk ofron mundësi, udhëzime apo standarde për  projektuesit të planifikojnë infrastrukturën adekuate të biçikletave.

“Në Rregulloren aktuale të urbanistikës, planifikimi i trafikut të biçikletave është përfshirë kryesisht në nenin 162 dhe minimalisht në nenet e tjera. E cila është e pamjaftueshme nga çdo këndvështrim. Për këtë, Go Green, së bashku me Rrjetin Kombëtar të Biçikletave, ka përgatitur dy draft dokumente dhe i kërkon Ministrisë së Transportit t’i pranojë dhe t’i sjellë në nivel kombëtar:

1. Propozim për ndryshimin e Rregullores së Urbanistikës duke vendosur infrastrukturën e biçikletave

2. Propozim rregullore për infrastrukturën e biçikletave

Sipas tyre, është e nevojshme që në Rregulloren e Urbanistikës të përfshihet edhe infrastruktura e biçikletave sepse është një dokument i rangut më të lartë që duhet ndjekur nga çdo planifikues.

Nevojitet një rregullore e veçantë për infrastrukturën e biçikletave për të standardizuar dhe unifikuar elementët e përdorur në hartimin e dokumentacionit teknik për infrastrukturën e biçikletave.

Së shpejti pritet të bëhen ndryshime në Rregulloren e Urbanistikës, çka do të thotë se tani është mundësia e duhur që infrastruktura e çiklizmit të jetë pjesë e Rregullores së re.

Nëse kjo rregullore miratohet, çdo infrastrukturë e mëpasshme e trafikut nëpër Maqedoni do të duhet të ketë një zgjidhje për biçikleta.

Ata kërkojnë që Ministria e Transportit të miratojë sa më shpejt një rregullore të tillë.