Gjyqtarja e cila ra në testin e integritetit, nuk mund t’i nënshtrohet sërish të njëjtit, Lloga: është e paligjshme

Nuk guxon të krijohet një praktikë e paligjshme, që një gjyqtar që nuk e ka kaluar testin psikologjik të personalitetit dhe testin e integritetit, të mund t’i nënshtrohet testit  sërish. Thuhet në letrën me shkrim të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, dërguar Këshillit  Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, trasmeton Portalb.mk.

Në të kërkohet që Këshilli të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore në lidhje me mendimin e dhënë nga Instituti për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike në Shkup, që gjyqtarja Snezhana Manev të ketë të drejtë sërish t’i nënshtrohet testit  psikologjik të personalitetit dhe testit të integritetit.

Në mendimin e dhënë nga ana e Institutit, thuhet se Snezhana Manev, kandidate për kryetare të Gjykatës, është testuar më 04.07.2023. Për shkak të lodhjes së shfaqur gjatë testimit, ajo nuk ka mundur vetë ta plotësojë testin e personalitetit psikologjik dhe testin e integritetit, për këtë arsye ekspertët rekomandojnë që ajo sërish t’i nënshtrohet testit më datën 14 korrik 2023.

“Bëjmë me dije se me një veprim të këtillë krijohet një praktikë e re e  paligjshme për një person i cili tashmë ka dështuar në test, të fitojë mundësinë që sërish t’i nënshtrohet të njëjtit. Në të njëjtën kohë, me një veprim të këtillë për arsye subjektive, hapet pyetja nëse gjyqtares Manev i është lejuar t’i nënshtrohet testit të integritetit në kundërshtim me dispozitat ligjore”, thuhet n reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kujtojmë se, euroambasadori Dejvid Gir më pesë korrik njoftoi se, Bashkimi Evropian (BE) ka dërguar mision vlerësues në Maqedoninë e Veriut në lidhje me punën e Këshillit Gjyqësor, pas disa skandaleve dhe trazirave së fundmi. Giri sqaroi që tashmë kjo i është propozuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe shpreson se do të realizohet sa më shpejtë që është e mundur. Ai theksoi që duhet të korrigjohet puna e Këshillit Gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor në muajin maj ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.