Gjyqtarët Isamedin Limani dhe Aleksandar Kambovski u zgjodhën anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor

Gjyqtari suprem Isamedin Limani dhe gjyqtari nga Gjykata e Apelit në Manastir, Aleksandar Kambovski janë anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor pas votimit të djeshëm për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve, transmeton Portalb.mk.

Rezultatet e votimit të djeshëm të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe atyre të Apelit të Manastirit në një konferencë për media i bëri të ditur kryetari i Komisionit për Zbatimin e Zgjedhjeve, Subhi Jakupi.

Nga radhët e gjyqtarëve suprem, Limani mori shtatë vota dhe kundërshtarja e tij e vetme, gjyqtarja Cvetanka Periq, e cila paralajmëroi tërheqjen nga gara, por mbeti në fletëvotim, fitoi dy vota.

Në zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Gjyqësor votuan gjithsej 15 gjyqtarë suprem. Dy fletë votimi ishin të pavlefshme dhe katër nuk u përdorën fare.

“Anëtar i zgjedhur i Këshillit Gjyqësor nga lista e përgjithshme e kandidatëve nga Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas rezultateve është Isamedin Limani, gjyqtar në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftoi në konferencën e djeshme për media Subhi Jakupi, kryetari i Komisionit për Zbatimin e Zgjedhjeve.

Sa i përket votimeve në zonën e Apelit të Manastirit, lider për nga numri i votave të fituara është gjyqtari Aleksandar Kambovski nga Gjykata e Apelit Manastir – ai ka fituar 28 vota.

Kundërshtarja dhe kolegia e tij nga Apeli i Manastirit, gjyqtarja Tatjana Susleska, mori 10 vota, ndërsa tre votuan për gjyqtaren Aleksandra Pop Stefanija nga Gjykata Themelore e Ohrit.

“Anëtari i zgjedhur i Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve nga lista e përgjithshme e kandidatëve nga zona e Apelit Manastir, sipas votimit, është Aleksandar Kambovski i cili ka marrë më së shumti vota në krahasim me kandidatët e tjerë”, tha Jakupi.

Në zgjedhjet e djeshme për anëtarë të Këshillit Gjyqësor votuan gjithsej 42 gjyqtarë nga zona e Apelit në Manastir. Është regjistruar një fletë votimi e pavlefshme, si dhe një fletë votimi e papërdorur.

Pas votimit, Këshilli Gjyqësor do të plotësojë dy pozitat vakante në radhët e gjyqtarëve që ishin vakante pikërisht një vit pas dorëheqjes së Mirjana Radevska-Stefkova dhe Zoran Gerasimovaki, të cilët vendosën për këtë hap pas shkarkimit kontrovers të kryetares së Këshillit, Vesna Dameva.

Këshilli Gjyqësor ka 15 anëtarë, tetë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët nga radhët e tyre.