Gjykata Kushtetuese e Kroacisë: Presidenti Milanoviç nuk mund të marrë postin e kryeministrit

Gjykata Kushtetuese e Kroacisë vendosi të premten se Presidenti Zoran Milanoviç nuk mund të marrë postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të kësaj jave, raporton VOA. Gjykata deklaroi se zoti Milanoviç nuk ka respektuar një paralajmërim të saj të lëshuar në muajin mars se duhej të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit para se të angazhohej sërish në fushatë për t’u bërë kryeministër.

Presidenti Milanoviç e ka kritikuar shpesh Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe ka kundërshtuar ndihmën për Ukrainës në luftën e saj me agresion rus.

Partia konservatore në pushtet e Kryeministrit Andej Plenkoviç, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i fitoi zgjedhjet të mërkurën duke marrë 61 vende në parlament, por pa siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, duke i nxitur partitë e tjera të nisin negociatat për të formuar një koalicion qeverisës.

Koalicioni i udhëhequr nga Partia opozitare Social-Demokrate e zotit Milanoviç doli e dyta me 42 vende në kuvend. Ky rezultat e zbehu mundësinë që Presidenti Milanoviç të bëhet kryeministër, por vendimi i të premtes e ndalon një mundësi të tillë edhe nëse do të siguronte përkrahjen e partive më të vogla.

Grupi i së djathtës ekstreme, Lëvizja Vendlindja doli e treta me 14 vende, rezultat që mund t’i japë rol vendimtar në krijimin e koalicionit me Bashkimin Demokratik Kroat.

“Me deklaratat dhe veprimet e tij, presidenti i republikës… e ka vendosur veten në një pozitë ku nuk mund të bëhet as mandatar i qeverisë së ardhshme e as Kryeministër”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Presidenti Milanoviç e shpërndau parlamentin kroat më 18 mars, duke nxitur zgjedhje të parakohshme këtë javë dhe deklaroi se do të garonte për postin e kryeministrit dhe do të jepte dorëheqje nga posti i presidentit vetëm pasi t’i ketë fituar zgjedhjet. Gjykata Kushtetuese deklaroi që atëherë se ai ishte i detyruar të jepte dorëheqjen para zgjedhjeve.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nuk priten deri javën e ardhshme pasi do të përsëriten votimet në dy zona për shkak të parregullsive.