Gjorgjievski: Aktivitetet në terren për projektin BRT do të nisin në vitin 2027
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, paralajmëroi se aktivitetet në terren për projektin BRT do të fillojnë në vitin 2027, ndërsa deri atëherë do të realizohet furnizimi me mbi 100 autobusë të rinj për rinovimin e transportit publik, transmeton Portalb.mk.
“Sa i përket BRT-së, fillimisht jam shumë i kënaqur që më në fund me BERZH-in e zhbllokuam procesin. Ishte një punë e mundimshme gjatë më shumë se tre muajve të fundit, aq sa jam kryetar i qytetit të Shkupit. Besoj se diku në gjysmën e dytë të këtij viti kalendarik do të fillojmë me procedurën e tenderimit. Ky është një projekt serioz për qytetin e Shkupit, i cili në përgjithësi do t’i zgjidhë këto ngarkesa në trafik që i kemi aktualisht, të lidhura me funksionimin e autobusëve në trase në qytetin e Shkupit”, theksoi Gjorgjievski për Radio Evropa e Lirë.
Lidhur me rishikimin e trasës së dytë nga Kisella Vodë deri në Radishan, ai tha se një ekip serioz po punon për këtë çështje dhe se nuk mjafton të përfshihen vetëm drejtimet Gjorçe Petrov dhe Novo Lisiçe..
“Nuk mjafton të përfshijmë drejtimet Gjorçe Petrov dhe Novo Lisice. Na duhet përfshirje e plotë e qytetit të Shkupit. Duke pasur parasysh se këtë park të rrënuar të mjeteve – flotën e autobusëve me të cilën disponojmë aktualisht – e cila për shumë vite nuk është rinovuar, do ta rinovojmë me 100 autobusë dhe me mbështetje nga Qeveria, si dhe me të paktën edhe dhjetë autobusë të tjerë përmes këtij projekti, ne do të kemi mjaft autobusë për ta mbuluar të gjithë Shkupin. Prandaj na duhet shtimi i këtyre dy traseve. Njëra është Radishani, tjetra drejt Draçevës, ku qytetarëve do t’u mundësojmë transport komod nga pika A në pikën B dhe me sa më pak përdorim të veturave private”, theksoi Gjorgjievski.
Sa i përket Luna Parkut të ri, ai tha se do të jetë park argëtimi për të gjitha moshat.
“Shkupi më në fund do të marrë Luna Park dhe jam thellësisht i bindur se edhe procedura do të ketë sukses; tenderi është në fazë përfundimtare. Besoj se do të përzgjidhet një realizues serioz dhe se deri në qershor 2027 do të mund të presim shiritin”, tha Gjorgjievski.
Përmes këtij projekti pritet të lidhet Shkupi nga lindja në perëndim, duke filluar në Gjorçes e deri në Lisiçen e Re, ndërsa në drejtimin veri – jug, duke filluar nga Buteli deri në Pintija.
Për zgjidhjen e kaosit në transportin publik si zgjidhje shihet Transporti i Shpejtë me Autobusë (BRT), i cili ishte nisur në kohën e ish-kryetarit Petre Shilegov, por u ndërpre gjatë mandatit të Danella Arsovskës dhe u bllokua nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së.
Gjeorgjievski, gjatë fushatës zgjedhore dhe më pas edhe pas marrjes së detyrës, deklaroi se këtë vit në buxhet do të parashikohen mjete për vazhdimin e realizimit të projektit.
Për këtë projekt, Qeveria në kohën e LSDM-së kishte marrë kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 70 milionë euro.
Kujtojmë se viteve të fundit transporti publik në kryeqytet ka qenë në kolaps dhe është përballur me probleme të mëdha.