Gjermania kërkoi veprime shtesë për situatën në veri para heqjes së masave

Gjermania është duke kërkuar veprime shtesë për të siguruar përparim në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Përmes një përgjigjeje, Ambasada e këtij shteti në Prishtinë ka thënë se vazhdon t’i mbështesë masat sanksionuese që i janë vendosur Kosovës nga Bashkimi Evropian më 14 qershor. E, në Qeverinë e Kosovës insistojnë se tashmë janë ndërmarrë veprimet e kërkuara, teksa kanë kërkuar heqjen sa më të shpejtë të masave sanksionuese, raporton Koha.net.

Hapa shtesë në funksion të shtensionimit të situatës në veri ka kërkuar Gjermania, para se ta konsiderojë heqjen e masave sanksionuese ndaj Kosovës. Situata në veri bëri që shteti i cili ka lidhur marrëveshje të shumta me Qeverinë e Kosovës për përkrahje financiare në fushën e investimeve, t’i pezullojë ato. Kjo politikë është në linjë me qëndrimin e BE-së që ende nuk e ka në shqyrtim largimin e masave. Përmes një përgjigjeje me shkrim, nga Ambasada gjermane kanë thënë se mirëpresim hapat e deritashëm të Qeverisë, por që nuk janë të mjaftueshëm.

“Ambasada gjermane mirëpret masat e para të iniciuara nga Qeveria e Kosovës si pjesë e procesit të deeskalimit dhe u kërkon autoriteteve të ruajnë këtë moment pozitiv. Megjithatë, nevojiten veprime shtesë siç përshkruhen në deklaratën e 3 qershorit për të siguruar përparimin e qetë të procesit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

Deklarata e 3 qershorit

Sipas deklaratës, që i është referuar Gjermania, nga Kosova pritet që të veprojë në mënyrë joshkallëzuese dhe t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

“Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”, shkruan në deklaratë.

Derisa nuk ka zbatim të deklaratës, në Ambasadën gjermane kanë lënë të kuptohet se s’ka as heqje të masave sanksionuese.

“Lidhur me hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, mbetet e vlefshme deklarata e 3 qershorit e 27 vendeve të BE-së. Në këtë drejtim, Gjermania mbështet masat e kthyeshme dhe të përkohshme të shpallura nga BE-ja më 14 qershor. Qeveria Federale Gjermane u ka kërkuar vazhdimisht Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta shtensionuar situatën dhe të riangazhohen me shpejtësi për të punuar në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 27 shkurt dhe 18 mars 2023”.

Nga Ambasada gjermane nuk kanë treguar se cilat projekte janë pezulluar për shkak të masave ndaj Kosovës dhe cili është dëmi potencial financiar për Kosovën.

Më herët ishte raportuar se mes projekteve të pezulluara janë ato që prekin sektorin e energjisë.

Masat gjermane nuk prekin projektet me sektorin e shoqërisë civile dhe as projektet që janë në implementim e sipër.

Veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës

Pas dakordimit të Bratislavës, Qeveria ka vendosur që ta reduktojë në masën prej 25 për qind prezencën e policisë së Kosovës përreth objekteve komunale, më mundësinë që të ketë sërish reduktime pas vlerësimeve të situatës së sigurisë në bashkëpunim ne KFOR-in dhe EULEX-in.

Por pavarësisht kërkesës së BE-së, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, po vazhdon të qëndrojë brenda objektit komunal të Leposaviqit. Mandatin e tij nga ndërtesa e re komunale po e ushtron edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Kërkesën e BE-së e kanë përmbushur dy kryetarët nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri (Zubin-Potok) dhe Ilir Peci (Zveçan), të cilët janë vendosur në zyra alternative.

Sa i përket zgjedhjeve të reja, për të cilat BE-ja kërkon të mbahen sa më shpejt, Qeveria është në proces të miratimit të udhëzimit administrativ për t’i hapur rrugë largimit të kryetarëve aktualë përmes peticionit. Nëse shkohet në këtë mënyrë, qytetarëve në veri do t’u duhet të dalin dy herë në zgjedhje – një herë për t’i larguar kryetarët aktualë e më pas për t’i zgjedhur të rinjtë.

Në Qeverinë e Kosovës e kanë përsëritur se tashmë kanë përmbushur kërkesat e BE-së duke kërkuar largimin e masave sanksionuese.

“Masat të hiqen sa më parë”

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendës-kryeministrit për dialog dhe integrime evropiane, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar si palë konstruktive në procesin e dialogut, e gjatë muajve të fundit në shtensionimin e situatës në veri.

“Duke qenë se situata paraqitet tashmë më e qetë e pa incidente në katër komunat në veri, është ulur për dy herë me nga 25% prezenca e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale, si dhe ka filluar puna siç jeni të informuar për mundësimin e organizimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri, konform ligjeve të Kosovës. Pra, Kosova po zbaton e përmbush zotimet e saj që burojnë nga Marrëveshja e Bratislavës dhe po vazhdon të kontribuojë pozitivisht në shtensionim. Që në fillim ne e kemi theksuar se masat kanë qenë e janë të padrejta e si të tilla duhet të hiqen sa më parë”, ka thënë Kadiu.

Sa i përket humbjeve eventuale si pasojë e masave, Kadiu ka shtuar se vlerësimet dhe komentet e tjera janë aktualisht vetëm aluduese e spekulime, “të cilat nuk mund t’i komentojmë”.

Por kryeministri Albin Kurti javën e shkuar në Forumin e Bledit në Slloveni tha se masat e BE-së po e dëmtojnë Kosovën sa i përket përkrahjes financiare e materiale. Sipas tij, nga masat po pësojnë edhe agjencitë shtetërore dhe komuniteti i biznesit.

“Masat po na dëmtojnë në aspektin e mbështetjes financiare dhe materiale të fondeve dhe granteve dhe kredive që marrim nga BE-ja”, ka thënë Kurti për “Bloomberg”.

Masat e shpallura nga BE-ja përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosdërgim të ftesave për Kosovën për takime të nivelit të lartë. Po ashtu, janë pezulluar edhe vizitat bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me adresimin e krizës në veri të Kosovës.

Masat e tjera përfshijnë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Po ashtu, as propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk ishin dorëzuar për shqyrtim nga Bordi më 29 dhe 30 qershor.