Gjermania drejt ndryshimeve të mëdha, ekspertët propozojnë rritjen e moshës së pensionit deri në 70 vjeç

30 propozimet për reformën e pensioneve në Gjermani, të paraqitura nga një komision i posaçëm ekspertësh dhe politikanësh, u pritën me vlerësime nga grupet konservatore dhe me kundërshtime nga opozita dhe sindikatat, raporton Dojçe Vele (DW).

Edhe para publikimit zyrtar të raportit të detajuar të komisionit prej 13 anëtarësh propozimet kryesore, të cilat u publikuan paraprakisht në mediat gjermane këtë fundjavë, shkaktuan reagime të shumta. Burime qeveritare në Berlin thonë se qeveria pritet të miratojë së shpejti një plan të bazuar në këto reforma.

Duke folur për publikun në një aktivitet të ditës së hapur të qeverisë federale në Berlin, kancelari Friedrich Merz theksoi se reformatjanë e vetmja mënyrë për të siguruar që sistemi i shtrenjtë i pensioneve në Gjermani të mbetet i përballueshëm në të ardhmen.

Edhe Ministrja Federale e Punës, Bärbel Bas nga Partia Socialdemokrate (SPD), e mbrojti nevojën për reforma. “Tani po vendosim masa për brezin e ri, që ai të ketë pensione më të larta,” tha ajo. “Dhe duhet të sigurojmë që në pension të parakohshëm të dalin më pak njerëz.”