Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë, viktima gratë

Në Kosovë, ditën e shtunë janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rastet e dhunës kanë ndodhur në Lipjan, Podujevë, Pejë dhe Rahovec, dhe njëri është vazhdimësi prej 18 korrikut, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në katër raste, gratë kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë fizike ose psikike prej bashkëshortëve të tyre.

Një rast është regjistruar për dhunë të vëllait ndaj motrës, dhe një tjetër për ofendim të gjyshit ndaj mbesës.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, janë raportuar 2.460 raste të dhunës në familje, me viktima kryesisht gratë.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, numri i tyre është shumë më i lartë se shifra zyrtare.

Ata besojnë se dhuna nënraportohet për disa arsye, përfshirë: presionin social mbi gratë, mungesën e pavarësisë së tyre ekonomike dhe mostrashëgimin e pasurisë nga prindërit.

Sipas gjetjeve të organizatës ndërkombëtare, Amnesty International, të mbijetuarat e dhunës në familje në Kosovë janë shprehur se nuk kanë parë drejtësi, se shteti nuk është kujdesur për sigurinë e tyre dhe se ato i frikësohen përsëritjes së dhunës.