Fuqia e mistershme që e zbut kafshën brenda nesh

Dëgjoj një melodi. Vjen nga larg. Nga një kohë tjetër. Nga koha e fëmijërisë. Është melodi kavallesh… Një kavallist i mirë e shtyn instrumentin të vajtojë. Artistët popullorë, nëpërmjet instrumenteve të thjeshta, nxjerrin nga qenia ofshamat dhe vajin e heshtur.

Ka që mendojnë se rikthimi te tradita është prapambeturi. Kemi “mendjehapur” që “modernizmin” e nënkuptojnë si fshirje të traditave dhe të kodeve identitare.

Nuk ka komb pa tradita. Folklori sot shërben edhe si atraksion turistik. Njerëzit kudo mund të blejnë gjëra të njëjta, por ka diçka që e gjejmë vetëm në vende të caktuara. Ekzotikja është e bukur. Fshirja e dallimeve është varfëri e shpirtit njerëzor.

Këngëtarë e kompozitorë të famshëm u frymëzuan nga folklori i popujve të ndryshëm dhe krijuan kryevepra artistike.

Në folklorin shqiptar kemi vargje gjeniale. “Vetull si gjysmë krah dallëndysheje”, është ky një varg antologjik dhe “pamor”. “Sa herë më lëshojnë andrrat, më kapin dhimbjet”, është një tjetër varg gjeniu. “Dil moj hënë e janarit dhe ndriço dashurinë”, këndojnë arbëreshët. “T’ka lodhë jermi e s’po di ç’je kah folë; / Se përjashta shi nuk asht tuj ra, /  Sytë e motrës po t’pikojnë, more vlla!”, janë vargje nga kënga e Gjergj Elez Alisë. Ose kënga arvanitase: “Kljani trima, kljani gjith me ljote, / se iku diavi* (dielli) çë na bënej drita. / Shkova ga dera jote e s’ish njeri, / shkova ga udha e krojt e nuk të pash. // Kërkova gjitoní për gjitoní / e mosnjeri më tha se ti ku je. / Një mjegul e zezë më vu në sí, / më saltin trut e m’u err gjith ki dhé. // Me hjelmëzë u prova në shtëpi, / si zog i varfër çë jam pa foljé. / Kljani trima, kljani gjith me ljote, / se iku diavi çë na bënej drita”.

Muzika. Përse e adhuroj? Sepse, sipas mitit për Orfeun, ajo e zbut kafshën brenda qenies. Çdo njeri e ka bishën parahistorike në shpellën e shpirtit të tij, që mund të zgjohet dhe ta bëjë punën e kriminelit apo xhelatit. Bisha e padukshme zbutet edhe me fuqinë e muzikës, të cilën e krijon edhe gjithësia – kjo orkestër e pafundme që prodhon tinguj misteriozë.

Muzika nuk është në nota, por në heshtjen e tyre, tha Mozarti. Ata që e njohin këtë heshtje janë gjeni. Të tjerët, ata që krijojnë për shijen barbare të epokës, për shijen e masave të harbuara, nuk janë artistë, por pjesë e makinerisë së keqzanisë.

Artisti nuk i detyrohet turmës.Nuk krijon për të qenë në vëmendjen e saj. Nuk i argëton ata që nuk e dinë me sa dhembje është krijuar një vepër muzikore dhe sa shumë dhembje shkakton muzika që na shkëput nga zhurma tronditëse e përditshmërisë e na shpie në një yjësi tjetër, të largët, ku humben ose ngatërrohen përmasat; ku nuk arrijnë refrenet e klishetë që e rëndojnë përditshmërinë tonë.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.