Fronti Evropian akuzon se partitë tjera duan t’ua marrin dy deputetë

Fronti Evropian përmes një konference për shtyp sot ka akuzuar se Frontit Evropian duan të ja marrin dy deputetë partitë të cilat kanë parashtruar ankesa në KSHZ në lidhje me zgjedhjet parlamentare, kryesisht VLEN dhe VMRO, transmeton Portalb.mk.

Arbër Ademi nga Fronti Evropian theksoi se ekzistojnë tentativa serioze me marrëveshje politike për të pasur inxhiniering zgjedhor, për të minuar demokracinë, për në minuar vullnetin e popullit.

“Kemi informuar komunitetin ndërkombëtar për një skenar të qartë të errët inxhinieringu për të devijuar vullnetin e popullit dhe legjitimitetin. Partitë e tjera politike mbi bazë të një marrëveshjeje të fshehtë joparimore duke shkelur vullnetin e popullit në mënyrë të orkestruar kanë parashtruar kundërshtime gjegjësisht ankesa për vendvotime të caktuara në njësinë zgjedhore numër 5 dhe 6. Për të njëjtat nuk është konstatuar asnjë parregullsi gjatë dhe pas mbarimit të procesit zgjedhor”, tha Ademi.

Ai theksoi se ankesat janë nga partitë VMRO, VLEN, LSDM dhe E Majta.

“Qëllimi është i qartë, Frontit Evropian dëshirojnë të ja marrin dy mandate, një në zonën e 5 dhe një në zonën e 6”, tha Ademi.

Ai shtoi se do angazhohen me të gjithë mekanizmat demokratike që qëndrojnë në dispozicion që me çdo kusht të mbrojnë votën e qytetarëve të cilët na kanë dhënë përgjegjësi që t’i përfaqësojmë.

Partitë politike kanë dorëzuar 27 ankesa për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

VLEN, ka dorëzuar 10, VMRO-DPMNE 8, LSDM 5 dhe E Majta 4.

“Ankesat e VLEN-it janë të gjitha në Njësinë Zgjedhore numër 6, respektivisht në vendvotimet në Tetovë, Gostivar, Zhelinë, Bogovinë dhe Vrapçisht. Ankesat e VMRO-DPMNE-së janë për vendvotimet në Ohër, Demir Hisar, Krushevë, Kërçovë, Strugë, Manastir, Dollnen dhe Resnjë. Ankesat e LSDM-së dhe koalicionit janë për Njësinë Zgjedhore numër 5, gjegjësisht për në Strugë, Manastir dhe Kërçovë. Ndërkaq ankesat e të Majtës për në Çair, Strugë dhe Gazi Babë”, thanë nga KSHZ për Alsat.

KSHZ duhet të vendosë nëse do t’i hedh poshtë, apo do t’i pranojë ankesat e partive. Nëse rezultati i vendvotimeve të cilat janë objekt i ankesave ndikon në rezultatin e përgjithshëm, KSHZ mund të kërkojë që të ketë rivotim.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.