FNA për emërimin e Bogojeskit: Qeveria e RMV-së shpërblen racizmin, kufizon shpresat e studentëve shqiptarë

FNA-ja ka reaguar për emërimin drejtor të Petar Bogojevskit në Agjencinë Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet (ANPSEM), një institucion që mes tjerash ka për kompetencë zbatimin e programeve evropiane në fushën e arsimit dhe rinisë. Bogojevski,thonë ata, jo vetëm që është racist dhe i mbushur me urrejtje, por ai përditë krenohet me këtë dhe nuk ngurron ta shfaqë përmes komenteve në rrjetet sociale, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje i çoi mesazh studentëve shqiptar në këtë vend se në qoftë se synoni të shfrytëzoni programet e BE-së si Erasmus+, hiqni dorë, pasi për fatin tuaj do të duhet të vendosë dikush që publikisht është shprehur se „шиптар може само коза да е*е, за друго не го бива“. Koalicioni VLEN të ju kërkojë falje studentëve shqiptar pasi jo vetëm që nuk e realizuan premtimin për Erasmus Shqiptar, por lejuan që në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm të emërohet një person që ka konflikt të drejtpërdrejtë me vlerat themelore evropiane që janë toleranca, përfshirja, barazia dhe respekti për të drejtat e njeriut. Forumi për Ndryshime në Arsim ka dërguar letër protestuese deri te të gjitha ambasadat e huaja në vend si dhe institucionet tjera ndërkombëtare, kemi kërkuar që të mos tolerohet normalizimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit etnik, përmes shpërblimit me poste udhëheqëse të individëve që kanë shkelur parimet themelore të barazisë dhe bashkëjetesës”, thuhet në reagim.

Petar Bogojevski është lider i partisë “Koncepti Maqedonas” dhe deri dje këshilltar i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskit.

Ai në opinion njihet si mjeshtër i shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes. 

Bogojeskin opinioni e njohu pas daljeve të tij publike në vitin 2018, kur ai u paraqit si “reformator”, person që do t’i printe një procesi për ta reformuar VMRO-DPMNE-në. Aso kohe ai ishte kritikues i madh i kreut aktual të së njëjtës parti Hristijan Mickoski, i cili kishte marrë timonin e partisë pas ikjes së Nikolla Gruevskit. 

Banditë dhe tradhtarë“, e kishte quajtur grupin që e përkrahnin Mickoskin dhe vet Mickoskin. “Ajde ta shpëtojmë Maqedoninë“, bënte thirrje Bogojeski më 3 dhjetori të vitit 2020. Madje edhe shumë konfrontime tjera dhe akuza ndaj atyre me të cilët sot hanë e pinë në një tavolinë. 

Bogojeski ka shpërndarë gjuhë të urrejtjes ndaj komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sidomos ndaj shqiptarëve. 

Në daljet e tij publike dhe veçanërisht në Facebook, Bogojevski shpesh përdor termin “shiptar” kur i referohet shqiptarëve, fjalë që prej kohësh konsiderohet ofenduese dhe degraduese edhe në kontekstin maqedonas. Këtë ai e ka bërë në disa raste të cilat i gjeni: këtukëtu dhe këtu. 

Megjithatë, jo vetëm shqiptarët kanë qenë therrë në sytë e Bogojeskit. 

Ai përmes facebook ka shprehur urrejtje edhe ndaj komunitetit të boshnjakëve. “Aktore, nuk kam faj që e urren veten dhe lekurën tënde serbe, në të cilën ke lindur! Nuk kam faj që urren fisin tënd nga vjen!”, ka shkruar Bogojeski në facebook, duke i replikuar aktivistes Mersiha Smailoviq.