FNA: Inspektorati konfirmoi denoncimin tonë – Agron Alili, i afërt me pushtetin, është avancuar kundërligjshëm në UT

Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) përmes një reagimi ka njoftuar se kanë siguruar dokumentin e Inspektoratit të Arsimit në të cilin konfirmohen denoncimet e tyre se profesori Agron Alili në Universitetin e Tetovës nuk i ka plotësuar kushtet për t’u avancuar në titullin mësimor-shkencor docent, transmeton Portalb.mk.

“Agron Alili, i angazhuar si profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore është avancuar me titullin docent duke shkelur një sërë nenesh të Ligjit për Arsim të Lartë. FNA-ja i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që të reagojë menjëherë, pasi njoftimin për këtë e ka pranuar tash një muaj ndërsa është e obliguar të veprojë në bazë të nenit 208 të Ligjit për Arsim të Lartë dhe të iniciojë procedurë kundërvajtëse kundër krimit të organizuar akademik që ka mundësuar një gjë të tillë, siç janë anëtarët e Komisionit Recenzues dhe Agron Alilit”, informoi Forumi për Ndryshime në Arsim.

Ata thonë se Agron Alili është i afërt me pushtetin ku ai për më shumë se 5 vite ka qenë drejtor shkolle në Gostivar, i emëruar nga Nevzat Bejta ndërsa pas ndërrimit të pushtetit lokal në Gostivar, strehë kërkoi dhe ju dha në Universitetin e Tetovës. FNA-ja shtoi se kanë gjetur dokumente që vërtetojnë se Agron Alili mes tjerash është edhe donator i partisë në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim ndërsa afërsinë e tij me këtë parti politike, nuk e fsheh as ai vetë përmes postimeve në rrjetet-sociale.

“FNA-ja do vazhdojë t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet e mundshme për t’i denoncuar dhe dënuar avancimet e kundërligjshme, vetëm në këtë formë Universiteti i Tetovës dhe jo vetëm do të pastrohet nga profesorë që nuk e kanë vendin aty dhe krimi i organizuar akademik”, bënë të ditur nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Ata theksojnë se heshtja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përkundër denoncimit të FNA-së dhe vendimit të Inspektoratit të Arsimit ngre dyshime se i gjithë ky krim i organizuar akademik është kryer me ndihmë të pushtetit, të cilët kanë ndihmuar si me veprim, ashtu edhe duke mos vepruar.

Portalb.mk dorëzoi pyetje në Ministrinë e Arsimit për këtë reagim dhe rast si dhe nëse do reagojnë, por deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nuk morëm.

Kujtojmë se për këtë rast, Forumi për Ndryshime në Arsim njoftoi në qershor të këtij viti se kanë dorëzuar parashtresë në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit. Në lidhje me këtë rast, aso kohe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit patën thënë për Portalb.mk se kanë pranuar parashtresat dhe se për të njëjtat do të veprohet.