Filozofia dhe qejfi

Në panairin e librit “Prishtina 2024” nga Logos-A do të lançohet vepra Filozofi për qejf të autorit turk Omer Sevinçgul, në katër vëllime, të shqipëruar nga profesorit dhe përkthyesi Ali Pajaziti, vepër kjo që e pasuron literaturën shqiptare me një tekst të rëndësishëm për kulturën filozofike shqiptare.

Siç shprehet autori i parathënies Edison Çeraj, këta katër tituj përbëjnë edhe një histori të shkurtër të filozofisë, e përvijuar si rrëfim, në mënyrë që lexuesi të mos e ketë të vështirë të nuhasë apo të përthithë esencën e ideve të njohura filozofike.

Të gjitha dilemat e mëdha filozofike platiten si fije bari përpara ngazëllimit të një fëmije kur gjen lodrën e humbur. Në këtë kuptim qejfi apo loja bartin një rëndësi të madhe për ne, sepse ka një lloj rikthimi aty, një lloj ritakimi me veten e dikurshme, para se t’i futeshim andrallave të përshtatjes, ku një pjesë syresh janë të pashmangshme.

Analiza që zhvillon autori i ngjan një site e cila ndan miellin nga krundet, duke bërë kështu dallimin midis atyre ideve që kanë mbetur në muzeun e mendimit dhe atyre që vazhdojnë të “përdoren” dhe ta ndihmojnë njeriun drejt njohjes dhe përmbushjes jo vetëm intelektuale.

Krejt këtë autori e ndërton përmes dialogëve me mysafirët e tij në dhomën e magjepsur, si dhe përmes filozofëve dora vetë që rikthehen si personazhe për të dhënë shpjegime më të sinqerta e më të hapura për idetë me të cilat kanë “ngatërruar” dynjanë.

Këta katër tituj përbëjnë edhe një histori të shkurtër të filozofisë, e përvijuar si rrëfim, në mënyrë që lexuesi të mos e ketë të vështirë të nuhasë apo të përthithë esencën e ideve të njohura filozofike. Është një udhëtim që ia vlen, prej të cilit me siguri që do të dalim më të pasur, sepse do të kemi mundësi, ndër të tjera, edhe t’i jepemi aventurës së krahasimeve.

Përballë ideve të filozofëve autori vendos si pasqyrë Zbulesën hyjnore, ose trashëgiminë profetike, për të kuptuar kështu se sa të qenësishme janë këto ide për ne, për të bërë dallimin midis asaj që ka rrënjë dhe asaj që duket sikur ka.