Fillon procesi gjyqësor kundër ish ambasadores në Kroaci për përhapje të materialeve raciste dhe ksenofobike dhe për thirrje për linçim të vllehëve në RMV

Ish-ambasadorja e RMV-së në Kroaci, D. K., do të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore Penale Shkup më 11 shtator, për përhapje të materialeve raciste dhe ksenofobike në profilin e saj në Facebook, njoftojnë nga Gjykata. Gjykimin do ta udhëheqë gjykatësja Monika Bahçovanovska. Kjo vjen pasi ajo humbi në bazë të një ankese të parashtruar kundër saj në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) majin e kaluar, transmeton Portalb.mk nga SDK.

Avokati Janaki Mitrovski, dy partitë vllehe dhe disa shoqata vllehe e kanë denoncuar atë në Prokurorinë Publike të Shkupit, e cila ngriti akuzën për përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes një sistemi kompjuterik, sipas nenit 394 të Kodit Penal.

Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi ka konstatuar ngacmime mbi bazë etnike të kryera nga ish-ambasadorja e RMV-së ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik vlleh në Maqedoni.

Tekstin përplot me fjalë të shëmtuara, përçmime, konspiracione, imagjinatë dhe thirrje për linçimin e pakicës etnike vllehe, e akuzuara e ka publikuar në profilin e saj në Facebook vitin e kaluar në janar. Ata e kanë denoncuar në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD).

Ish-ambasadorja, e cila kishte pozitë të lartë në VMRO-DPMNE, që në fjalinë e parë të tekstit të publikuar përcjell një kualifikim të padëgjuar për shkatërrimin e shtetit nga ajo pakicë etnike. Ajo parashtron pyetjen nëse vllehët kanë qenë qytetarë besnikë të Maqedonisë. Duke shkruar për identitetin, ajo shpik se kanë kontaminuar me pretendimet se ata janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të maqedonasve të lashtë. Ajo thotë edhe se ata e kanë sabotuar edhe kombin maqedonas, si edhe qeverinë, gjyqësorin, administratën, elitën politike.

Kur Komisioni i ka dërguar parashtresën dhe materialin e dorëzuar nga qytetari i shqetësuar, ajo nuk e ka marrë fare dërgesën nga posta.

Nga Komisioni thanë edhe se e denoncuara me postimin e saj ka ngjallur përbuzje ndaj komunitetit etnik të vllehëve në RMV, duke shtuar se një narrativ i tillë është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.