Filloi gjysmëvjetori i dytë, nxënësit u rikthyen në shkolla

Në Maqedoninë e Veriut sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë në shkollat fillore dhe të mesme, raporton Portalb.mk.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u uroi sukses të gjithë nxënësve dhe stafit të shkollave.

“Me më pak mungesa dhe shumë përkushtim, të arrijnë qëllimet e të nxënit dhe mësimdhënies. Dituria ndërtohet me punë, këmbëngulje dhe mbështetje reciproke. Gëzuar nga e marta!”, tha Janevska.

Javën e kaluar, nga Instituti i Shëndetit Publik njoftuan se, pavarësisht rritjes së numrit të të sëmurëve me grip, gjë që është e pritshme për këtë periudhë, nuk do të ketë zgjatje të pushimit dimëror për nxënësit.

Viti shkollor do të zgjasë deri më 10 qershor.

Kujtojmë se një ditë para fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, dha dorëheqje zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.