Federata Evropiane e Gazetarëve do të ndalojë publikimin e përmbajtjeve në rrjetin social “X” të Elon Musk
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) përfaqëson mbi 295,000 gazetarë në 44 vende. Këtë javë, federata njoftoi se do të ndalojë publikimin e përmbajtjeve në platformën X nga 20 janari 2025. Vendimi vjen pas zgjedhjes së Donald Trump si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, transmeton Portalb.mk.
Federata akuzoi Musk-un se e ktheu mikroblogun në një makineri dezinformimi dhe propagande. Për shkak të kësaj, ata nuk mund të marrin pjesë në mënyrë etike në rrjetin social, raporton The London Economic.
“Pas zgjedhjeve në SHBA, EFJ vuri në dukje kërcënimin ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes, të shkaktuar nga bashkëpunimi mes presidentit të vendit më të fuqishëm në botë, Donald Trump, dhe njeriut më të pasur në botë, Elon Musk. Musk, i cili zotëron rrjetin social X, do të emërohet në krye të Departamentit të sapoformuar të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) kur Trump të marrë detyrën”, tha sekretari i Përgjithshëm i EFJ Ricardo Gutiérrez.
“Nuk mund të vazhdojmë të marrim pjesë në rrjetin social të një personi që i shpall armiq mediat, pra gazetarët. X është bërë një platformë e preferuar për përhapjen e teorive konspirative, racizmit, ideve të ekstremit të djathtë dhe mizogjinisë. Platforma nuk i shërben më interesit publik, por interesave të veçanta ideologjike dhe financiare të pronarit të saj dhe aleatëve të tij politikë. Një evolucion i tillë i X pas blerjes së Elon Mas është në kundërshtim me vlerat tona humaniste, me luftën tonë për lirinë e medias dhe pluralizmin mediatik”, thotë presidentja e EFJ, Maya Sever.
Vendimi i EFJ-së pason pas hapash të ngjashëm nga një sërë mediash evropiane, duke përfshirë The Guardian, Dagens Nyheter të Suedisë, La Vanguardia të Spanjës dhe Ouest-France dhe Sud-Ouest të Francës. Ata u larguan nga mikro-blogu më herët për shkak të ndikimit të Musk në funksionimin e tij.