Fabregas, ish-fitues i Kupës së Botës, i dha fund karrierës si futbollist

Ish-kampioni i Kupës së Botës, Cesc Fabregas, njoftoi pensionimin nga futbolli në moshën 36-vjeçare, transmeton Anadolu.

“Me pikëllim të madh ka ardhur koha që të var këpucët”, shkroi Fabregas në Twitter.

“Nga ditët e mia të para në Barca, Arsenal, Barca përsëri, Chelsea, Monaco dhe Como, do t’i ruaj të gjitha si pasuri. Nga ngritja e Kupës së Botës, Euros, deri te fitimi i gjithçkaje në Angli dhe Spanjë dhe pothuajse të gjithë trofetë evropianë, kanë qenë një udhëtim që nuk do ta harroj kurrë”, shtoi mesfushori spanjoll.

Fabregas, produkt i Barcelonës, ka luajtur për Arsenalin dhe Chelsean në Angli, si dhe për ekipin e Barcelonës në Spanjë.

Ai luajti për herë të fundit në Como të Italisë pas ditëve të tij në Monaco.

Fabregas tha se kishte “kujtime dhe miq të shkëlqyer” gjatë viteve që luajti, gjatë të cilave ai tha se mësoi gjithashtu tri gjuhë.

“Pra, pas 20 viteve të pabesueshme plot sakrifica, përkushtim dhe gëzim, është koha për t’i thënë faleminderit dhe lamtumirë lojës së bukur. Më pëlqeu çdo minutë”, tha Fabregas.

Fabregas fitoi dy herë titullin e Premierligës angleze me Chelsean në 2015 dhe 2017, së bashku me një titull të Ligës Europa të UEFA-s.

Ai ndihmoi Barcelonën të siguronte titullin e La Ligës spanjolle në vitin 2013 përpara se të transferohej te Chelsea.

Gjatë kohës së tij me Arsenalin nga viti 2004 deri në 2011, ai fitoi Kupën angleze FA.

Fabregas ndihmoi vendlindjen e tij Spanjën të fitonte Kupën e Botës FIFA 2010 në Afrikën e Jugut dhe dy Kampionatet Evropiane (EURO) në 2008 dhe 2012.

Ai do të fillojë të drejtojë si trajner ekipin B të klubit italian të Serisë B Como dhe ekipet e të rinjve.