Evropa e ngriu punën për marrëveshjen tregtare me Amerikën

Bashkimi Evropian e ka pezulluar punën për marrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara, transmeton Portalb.mk.

Kjo u konfirmua dje nga kryetari i Komisionit për Tregti të Parlamentit Evropian, Bernd Lange.

“Tani është zyrtare: Marrëveshja BE–SHBA është pezulluar deri në një njoftim të mëtejshëm”, tha Lange në X.

Ai bëri të ditur se ekipi negociator ka vendosur të ndalojë punën për zbatimin ligjor të marrëveshjes së Turnberryt.

“Sovraniteti dhe integriteti ynë territorial janë në rrezik. Vazhdimi i punës si zakonisht është i pamundur”, shkroi Lange.

Ai iu referua tensioneve rreth Grenlandës dhe tarifave.

Nuk dihet ende nëse marrëveshja tregtare është anuluar plotësisht, apo nëse dispozitat që kanë hyrë tashmë në fuqi do të vazhdojnë të zbatohen.

Marrëveshja parashikonte tarifa prej 15 përqind për mallrat e BE-së të eksportuara drejt SHBA-së.

Si marrëveshje paraprake u arrit në korrik dhe disa pjesë të saj u zbatuan para nënshkrimit zyrtar.