Është miratuar aktakuza kundër Ljupço Palevskit për vrasjen e Vanjës dhe Zhezhovskit

Këshilli për vlerësimin e aktakuzës, duke vepruar në vlerësimin e akuzës kundër L.P. i dyshuar për dy krime – Vrasje dhe dy vepra penale – Rrëmbim, lidhur me vrasjen e të miturës V.Gj. nga Shkupi dhe P.Zh nga Velesi në nëntor të vitit 2023, mori vendim me të cilin e miratoi aktakuzën në tërësi, njoftoi sot Gjykata Penale, transmeton Portalb.mk.

“Për të njëjtën ngjarje penalo-juridike janë akuzuar më herët edhe 4 persona të tjerë, për të cilët është ngritur rasti, i cili është caktuar për datën 04.09.2024 dhe për çdo ndryshim të datës, palët dhe opinioni do të njoftohen në kohë”, njoftoi Gjykata Penale Shkup.

Ndryshe, gjykimi për vrasjen e dyfishtë të të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi, do të fillojë më 4 shtator.

E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor.

I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.

Të akuzuar janë edhe Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vlatko Keshishov.

Stefan Dimovski, nga ana tjetër, dyshohet për veprën e ndihmës së kryerësit pas kryerjes së veprës penale, sepse Palevskin e ka çuar nga Serbia, përmes Bullgarisë për në Turqi. Më 12 mars iu hoq masa e paraburgimit pasi siç sqaroi atëherë Prokuroria, për shkak të llojit të krimit dhe dënimit të paraparë, nuk ka mundësi ligjore që të vazhdojë ta durojë këtë masë për sigurimin e prezencës.

Mes të pandehurve është edhe babai i të vrarës Vanja, Aleksandar Gjorçevski, i cili pas disa muajsh qëndrimi në burgun e Shutkës tashmë ndodhet në arrest shtëpiak pasi Gjykata e Lartë la në fuqi ankesën e tij.