Është hapur tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e interkoneksionit 400-kilovoltësh ndërmjet RMV-së dhe Shqipërisë

Është hapur tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e interkoneksionit 400-kilovoltësh ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë – një projekt kyç për integrimin rajonal dhe stabilitetin elektroenergjetik të vendit tonë, njoftoi drejtori i MEPSO-s Burim Latifi. Ai tha se ky projekt përfaqëson shumë më tepër se sa ndërtimin e infrastrukturës energjetike; është hap themelor drejt përfundimit të korridorit energjetik rajonal Lindje–Perëndim, i cili lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Italinë përmes një kablli nënujor, transmeton Portalb.mk.

“Ndërtimi i këtij interkonektori do ta pozicionojë sistemin tonë si një pjesë thelbësore e infrastrukturës elektroenergjetike evropiane, duke mundësuar pjesëmarrje të qëndrueshme në tregjet rajonale, qasje në shërbimet e sistemit dhe balancimit, si dhe sigurimin e një furnizimi më të sigurt dhe më ekonomik për të gjithë qytetarët. Maqedonia e Veriut po konfirmon ambicien e saj strategjike: të bëhet një nyje energjetike në Ballkan. Kur menaxhmenti i ri mori detyrën, gjetëm një projekt seriozisht të lënë pas dore: nga 269 themele të planifikuara për shtyllat e linjës së transmetimit, ishin përfunduar vetëm 24. Kontraktori i mëparshëm, përmes kërkesave të pajustifikuara për fonde shtesë dhe braktisjes së njëanshme të punimeve, rrezikoi projektin dhe interesin publik”, tha Latifi.

Ai tha se u anulua kontrata me kontraktorin e mëparshëm, u krye analizë e plotë e dokumentacionit teknik dhe projektues dhe, së bashku me partnerin strategjik – Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) – u vendis model të ri të veprimit transparent dhe profesional.

“Rezultati i kësaj pune intensive është tenderi i hapur sot, i bazuar në kriteret më të larta për performancën teknike, cilësinë dhe aftësinë financiare”, tha Latifi.

Çfarë parashikon projekti?

Projekti parashikohet ndërtimi i rreth njëqind kilometrave linjë transmetimi ajrore nga stacioni transformator Manastir 2 deri në kufirin maqedonas-shqiptar. Projekti vlerësohet të kushtojë rreth 17 milionë euro, i financuar përmes kredisë dhe granteve nga BERZH dhe fondet evropiane.

Afati për dorëzimin e ofertave është 45 ditë, ndërsa zgjedhja e ofertuesit më të favorshëm pritet në tremujorin e tretë të këtij viti, me fillimin e realizimit të planifikuar për fillim të vitit 2026.

Çfarë do të thotë kjo për shtetin?

  • Rritje e konsiderueshme e qëndrueshmërisë së rrjetit të transmetimit, me minimizim të rrezikut nga ndërprerjet dhe goditjet e çmimeve;
  • Hapësirë e hapur për lidhjen e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë së rinovueshme, çelës për tranzicionin energjetik;
  • Integrim strategjik në tregjet rajonale dhe evropiane, që në afat të gjatë do të kontribuojë për çmime të qëndrueshme, të përballueshme dhe konkurruese të energjisë elektrike.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, ShA MEPSO informoi se është ndërprerë kontrata me “Energoinvest” ShPK Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, kontraktues për ndërtimin e largpërçuesit 400 kV nga TS Manastir 2 deri në kufirin Maqedoni e Veriut – Shqipëri.

Mospërmbushja e detyrimeve nga kontraktori dhe kërkesat e tyre për pagesa shtesë çuan në ndëprerjen e patjetërsueshme të kontratës. Kjo situatë rezultoi me pamundësinë për të arritur një dakordësi midis dy palëve.